Burim Piraj, pronar i kompanisë “Meka Hallall Food”, ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me hyrjen e bizneseve në tregun e hapur të energjisë elektrike nga 1 qershori, duke paralajmëruar pasoja serioze për prodhuesit vendorë.
Në Debat Plus, Piraj ka theksuar se me rritjen aktuale të kostos së energjisë, prodhuesit kosovarë nuk kanë asnjë mundësi të përballojnë konkurrencën me tregun evropian.
“Është rrezik i madh me përballu konkurrencën e Evropës prodhuesit vendor kosovarë, nëse neve kostoja e prodhimit na rritet kështu siç po rritet, kemi me pas probleme serioze. Edhe institucionet duhet ta kenë këtë parasysh”, ka deklaruar Piraj.
Ai ka kritikuar vendimin për kalimin në tregun e lirë në këtë fazë, duke e cilësuar të gabuar dhe të rrezikshëm për ekonominë vendore.
“Nuk bën ky ligj që është marrë hapi për me rrit energjinë për me dalë në tregun e lirë, në këtë moment nuk bën kurrqysh me ec përpara”, ka thënë ai.
Piraj kërkoi ndërhyrje të Qeverisë që, sipas tij, duhet të marrë masa për të detyruar KESCO-n të furnizojë bizneset prodhuese me çmime të pranueshme.