Piloti i helikopterit të Forcave Ajrore Kroate (HRZ), J.I. nga Spliti, është liruar nga paraburgimi, ndërsa e dashura e tij, Ana Murganiq nga Kosova, ndodhet ende në arrest. Lajmin e ka bërë të ditur mediumi kroat 24sata, duke iu referuar burimeve nga Gjykata e Qarkut në Split.
“J.I.-së i është hequr masa e paraburgimit dhe i janë caktuar masa kujdesi, ndërsa nesër do të vendoset për vazhdimin e paraburgimit për të akuzuarën A.M.”, kanë konfirmuar nga gjykata.
Masat e kujdesit ndaj pilotit përfshijnë ndalimin e kontaktit me një prej dëshmitarëve që ende nuk është marrë në pyetje.
Nga Ministria kroate e Mbrojtjes kanë bërë të ditur se pas incidentit, piloti është përjashtuar nga ushtria.
Sipas mediave kroate, piloti dhe e dashura e tij dyshohen për spiunazh në favor të Serbisë. Gazeta Slobodna Dalmacija raportoi se çifti ishte arrestuar fillimisht në ishullin Vis gjatë pushimeve, por piloti ishte liruar shpejt, ndërsa partneres së tij iu lëshua urdhër për ta dërguar në Qendrën Tranzit për të Huaj në Trilj dhe për ta dëbuar nga Kroacia për dhjetë vjet.
Hetuesit kanë zbuluar komunikime në telefonat e tyre që tregojnë transmetim të informacioneve konfidenciale drejt politikanëve serbë. Këto të dhëna dyshohet se piloti i kishte mbledhur gjatë shërbimit në Kosovë si pjesë e kontingjentit kroat (HRVCON) në misionin paqeruajtës të NATO-s – KFOR.
Pas këtyre zbulimeve, çifti u arrestua sërish. Sipas burimeve jozyrtare, A.M. merrte nga partneri të dhëna për lëvizjet e forcave të KFOR-it në veri të Kosovës, të cilat më pas i përcillte drejtuesve të Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që ka lidhje të ngushta me Beogradin.
Në komunikimet përmes aplikacionit WhatsApp përmendet edhe një gazetar i një agjencie ndërkombëtare, i cili dyshohet se kishte marrë pjesë të këtyre informacioneve. Deri tani janë identifikuar të paktën katër raste të publikimit të sekreteve ushtarake, mes tyre rasti i veprimeve të KFOR-it në Zubin Potok dhe ai i arrestimit të ish-policit kosovar Dejan Pantić në dhjetor 2022.
Hetimi ka zbuluar gjithashtu se A.M. ka punuar më parë në misionet e EULEX-it dhe UNMIK-ut, ku ka pasur kontakte me gjyqtarë e prokurorë, disa prej të cilëve dyshohet se ka tentuar t’i shantazhojë. Ajo rezulton të ketë qenë e afërt edhe me përfaqësues të komunitetit serb dhe persona të përfshirë në iniciativat për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe.
Sipas burimeve hetimore, shërbimet serbe të inteligjencës po përdorin pozitat e punës së serbëve në institucione ndërkombëtare në Kosovë për mbledhje informacioni dhe ndikim në proceset gjyqësore.






