Pika 184 e Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese që hoqi çdo dilemë e potencial për “veto” të komunitetit serb për konstituim të Kuvendit – tregim ky i shtyrë përpara nga Vetëvendosje – është “përgjigje e mirë dhe e qartë” ndaj këtyre pretendimeve, tha juristi Ardian Bajraktari.
Përkatësisht kjo pikë saktësoi që nëse komuniteti serb nuk do të bënte propozim do të ishte konsumim i të drejtës, dhe se, rrjedhimisht, kryesia e kuvendit do të mund të funksiononte me kuorum – por se, në rastin konkret, komuniteti serb ka bërë propozimin dhe dështimi “i atribuohet mosvotimit të shumicës së deputetëve të zgjedhur të Kuvendit”.
Postimi i Bajraktarit:
Kjo pikë, cilitdo grup parlamentar që ka të drejtë të propozojnë anëtar të Kryesisë së Kuvendit, qoftë nga shumica apo pakicat ia pamundëson me abuzu me një të drejtë të tillë.
Vlen të ceket se ky nuk është rasti.
P.S. pika 148, e Aktgjykimit:
Pavarësisht konkluzionit të lartëcekur, Gjykata sqaron se në rastet kur e drejta kushtetuese në procedurën e zgjedhjes së anëtarëve të Kryesisë së Kuvendit gjatë konstituimit të Kuvendit nuk ushtrohet nga deputetët apo grupet parlamentare, që kanë të drejtë të propozojnë anëtarë të Kryesisë së Kuvendit, qofshin ato nga komuniteti shumicë apo nga radhët e komuniteteve që nuk janë shumicë, të cilat mund të manifestohen në pengimin e këtij procesi, apo në rastet kur, përkundër vullnetit të shumicës së deputetëve për të zgjedhur anëtarin e Kryesisë, Kuvendit i pamundësohet zgjedhja e anëtarëve të Kryesisë së saj, Kuvendi përjashtimisht, do të mund të vazhdojë funksionimin edhe pa njërin nga anëtarët e Kryesisë së Kuvendit, me kushtin që Kryesia e Kuvendit të ketë kuorum në vendimmarrjen e saj në përputhje me paragrafin 3 të nenit 20 (Mbledhja e Kryesisë) të Rregullores së Kuvendit, i cili përcakton se: “Vendimi i Kryesisë merret me shumicën e anëtarëve të pranishëm në mbledhje”.
Megjithatë, Gjykata thekson se ky nuk është rasti në rrethanat konkrete sepse dështimi për konstituimin e Kuvendit në rastin e tanishëm i atribuohet mosvotimit të shumicës së deputetëve të zgjedhur të Kuvendit, për kandidatët e propozuar, qoftë (i) të propozuar drejtpërdrejt nga radhët e deputetëve të komuniteteve që nuk janë shumicë, respektivisht komunitetit serb; ose (ii) përmes procedurës së shortit.
Përfaqësimi i komuniteteve në Kryesi është detyrim.
P. S. pika 156 e Aktgjykimit:
Ashtu siç u theksua më lart, përfaqësimi i komuniteteve që nuk janë shumicë në Kuvend përfshirë edhe në Kryesinë e Kuvendit është detyrim kushtetues.
Nëse Kuvendi nuk arrin të zgjedhë nënkryetarin nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb, Kryesia e saj do të ishte e paplotë dhe jokushtetuese.
Në këtë kontekst, zgjedhja e nënkryetarit të Kuvendit nga komuniteti Serb si anëtar i domosdoshëm i Kryesisë së Kuvendit, është parakusht për konstituimin e Kuvendit.