26.1 C
New York
Friday, September 12, 2025

Buy now

Pezullimi i dialogut, Lidhja e Bizneseve: Kosova s’e ka luksin të humbasë mbështetjen e SHBA’së – Goditje ekonomike

- Advertisement -

 

Sot gjatë ditës, u bë e ditur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, se këto të fundit kanë pezulluar për një kohë të pacaktuar dialogun strategjik të planifikuar me Kosovën për shkak të shqetësimeve në lidhje me veprimet e qeverisë në detyrë të Albin Kurtit.

Për këtë çështje kanë reaguar edhe nga Lidhja e Bizneseve të Kosovës. Nga LBK ndër tjerash thuhet se pezullimi i këtij dialogu është goditje politike, diplomatike dhe ekonomike për Kosovë.

Nga ta shtohet edhe se Kosova nuk ka luksin të humbasë mbështetjen e SHBA-së.

‘‘Pezullimi i Dialogut Strategjik me SHBA: Goditje politike, diplomatike dhe ekonomike për Kosovën

Lidhja e Bizneseve të Kosovës shpreh shqetësimin e saj të thellë për vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të pezulluar Dialogun Strategjik me Kosovën. Ky zhvillim përbën një sinjal serioz për aspiratat ekonomike dhe diplomatike të vendit tonë dhe ngre shqetësime për marrëdhëniet me aleatin tonë më të madh dhe më të besueshëm historikisht. Kosova nuk ka luksin të humbasë mbështetjen e SHBA-së. E ardhmja jonë ekonomike, siguria dhe zhvillimi afatgjatë janë të ndërlidhura ngushtë me këtë partneritet strategjik. Çdo hap që cenon këtë marrëdhënie dobëson perspektivën tonë për stabilitet dhe për integrim në ekonominë globale’’, thuhet ndër tjerash në komunikatë.

Tutje, vlerësohet se është e domosdoshme që skena politike të tregojnë përgjegjësi të lartë politike dhe të rikthejnë menjëherë koordinimin me partnerët amerikanë.

‘‘Në këtë moment vendimtar, është e domosdoshme që institucionet e Kosovës , skena politike, të tregojnë përgjegjësi të lartë politike dhe të rikthejnë menjëherë koordinimin me partnerët amerikanë. Vetëm përmes një klime të qëndrueshme politike dhe diplomatike mund të sigurohet besimi i investitorëve, të hapen tregje të reja dhe të gjenerohen mundësi të qëndrueshme për bizneset dhe qytetarët. Marrëdhënia me Shtetet e Bashkuara nuk është vetëm një çështje politike – ajo është themeli i stabilitetit dhe zhvillimit ekonomik të Kosovës. Prandaj, çdo veprim duhet të jetë në funksion të ruajtjes dhe forcimit të kësaj lidhjeje jetike’’, shtohet më tej.

Tutje, në komunikatë theksohet edhe se marrëdhënia me SHBA-në është garancia jonë më e fortë për stabilitet politik, siguri dhe zhvillim ekonomik afatgjatë.

‘‘Lidhja e Bizneseve të Kosovës mbetet e përkushtuar në mbështetjen e partneritetit strategjik Kosovë–SHBA dhe do të kontribuojë në çdo nismë që avançon këtë marrëdhënie, si garanci për prosperitetin dhe të ardhmen e sigurt të Republikës së Kosovës Kosova nuk ka partner më të madh dhe më të besueshëm se Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Marrëdhënia me SHBA-në është garancia jonë më e fortë për stabilitet politik, siguri dhe zhvillim ekonomik afatgjatë’’, potencohet tutje nga LBK.

Në fund, nga lidhja e bizneseve kërkohet që institucionet e vendit të veprojnë me përgjegjësi të lartë politike dhe diplomatike.

‘‘Lidhja e Bizneseve të Kosovës u bën thirrje institucioneve të vendit të veprojnë me përgjegjësi të lartë politike dhe diplomatike, duke riforcuar koordinimin me partnerët amerikanë dhe duke rikthyer besimin në këtë raport strategjik. Vetëm përmes një qasjeje të qëndrueshme dhe bashkëpunuese, Kosova mund të mbrojë interesin e saj kombëtar, të sigurojë investime të reja dhe të krijojë mirëqenie për qytetarët e saj’’, përfundohet në komunikatë.

Të ngjashme

Të fundit