Ministria e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, përmes një postimi në faqen e tyre në Facebook, ka njoftuar se ka pezulluar licensën e “Klan Kosovës”. Në vendimin e tyre, ata janë thirur në ligjin Nr. 06/L-116, i cili në fakt nuk është ligji për Shoqëritë Tregtare, siç pretendon Ministria.
Ligji i cituar nga MINT, pra ligji Nr. 06/L-116, është një ligj për “ndryshimin dhe plotësimin e ligjit nr. 05/L-090 për sponsorizime në fushën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit”, siç edhe mund të shihet në fotografinë e mëposhtme.
Ndërsa, ligji në të cilën është thirur Ministria e Industrisë është ligji për Shoqëritë Tregtare me numrin Nr. 06/L-016. Por përveç ligjit, MINT ia ka huqur totalisht edhe nenit.
Në nenin 10-të të ligjit për Shoqëritë Tregtare, nuk flet për pezullimin e licensës së bizneseve, por për drejtorin e përgjithshëm të Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës. Më saktësisht, qe çka shkruhet në nenin 10 të ligjit për Shoqëritë Tregtare (mbi të cilën e ka bazuar MINT pezullimin e licensës së Klan Kosovës):
“1. Veprimtaria e ARBK drejtohet nga Drejtori i Përgjithshëm i cili duhet të plotësojë kërkesat e
përgjithshme dhe të posaçme që janë përcaktuar në legjislacionin e aplikueshëm për nëpunësit
civil.
2. Drejtori i Përgjithshëm është përgjegjës për administrimin e ARBK, duke përfshirë menaxhimin
e burimeve njerëzore.
3. Drejtori i Përgjithshëm përfaqëson ARBK në marrëdhëniet me palët e treta.
4. Drejtori i Përgjithshëm i ARBK ushtron kompetenca drejtuese dhe nxjerr vendime dhe
udhëzime të tjera të detyrueshme për rregullimin e procesit të regjistrimit të Shoqërive Tregtare
për qendrat e regjistrimit në pajtim të plotë me këtë ligj. Shprehimisht përcaktohet se vendimet
dhe udhëzimet e nxjerra nga Drejtori i Përgjithshëm i ARBK sipas këtij ligji nuk do të vendosin
kërkesa, kushte ose kufizime që nuk janë përcaktuar shprehimisht me këtë ligj.
5. Drejtori i Përgjithshëm i ARBK i raporton Ministrit me shkrim për menaxhimin administrativ,
financiar dhe cilësinë e kryerjes së shërbimeve sa herë që i kërkohet, por jo më pak se një herë
në vit.”
Për më shumë, Ministria e Industrisë ka dështuar të citojë një dispozitë konkrete, pra nuk citohet asnjë ligj të cilën supozohet që Klan Kosova e ka shkelur. Në këtë kontekst, përveç gabimit në referencë të ligjit, vendimi i MINT kundër Klan Kosovës në substancë është pa bazë ligjore, sepse MINT në arsyetimin për pezullimin e certifikatës së biznesit nuk ka shkruar ndonjë arsye dhe bazë ligjore mbi të cilën zhvleftësohet vendimin fillestar, pra të licensimit.
Çka vendosi Ministria?
Në njoftimin e Ministrisë, kuptohet se MINT ka ushtruar një kallëzim penal për shkak të dyshime për keqpërdorim të detyrës zyrtare të zyrtarëve përgjegjës në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve.
“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka iniciuar kallëzim penal në Departamentin e Krimeve të Rënda në kuadër të Policisë së Republikës së Kosovës, ndaj Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” SHPK, zyrtarëve përgjegjës nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve dhe personave përgjegjës të kompanisë, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, si dhe keqpërdorim të autorizimeve ekonomike.” – thuhet që në hyrje të komunikatës së Ministrisë.
Duke u thirrur në aktet ligjore, MINT ka treguar se e ka pezulluar certifikatën e biznesit të shoqërisë tregtare “Klan Kosova” SHPK, deri në një vendim tjetër.
“Mbështetur në aktet ligjore, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përkatësisht Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve e Kosovës, gjithashtu ka marrë vendim që të pezulloj certifikatën e biznesit të Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” SHPK, deri në një vendim tjetër. Për vendimin e ARBK-së, është ftuar në takim dhe është njoftuar pala, përkatësisht pronari i Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” SHPK.” – thuhet tutje në komunikatë.
Ministria është thirur edhe në një raportim të një medie të afër me pushtetin, e cila dje raportoi në lidhje me pronësinë e televizioni Klan Kosova.
“Raportimet e mediave gjatë këtyre ditëve rreth kësaj çështjeje, kanë nxjerrë në pah dyshime të bazuara për keqpërdorim të mundshëm të pozitës zyrtare të punonjësve në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës, e cila vepron në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Si rrjedhojë, MINT ka bërë të gjitha angazhimet e nevojshme dhe menjëherë ka ndërmarr masat e qartësimit të brendshëm të gjendjes. Sipas të dhënave të shpërfaqura nga i gjithë procesi i regjistrimit e më pas transaksioneve tjera të shitblerjes së Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” SHPK, rezultojnë dyshime serioze të keqpërdorimit të detyrës zyrtare nga zyrtarë të ARBK-së, por edhe dyshime për keqpërdorim të autorizimeve ekonomike nga persona përgjegjës të kompanisë.” – thuhet aty tutje.
Nacionale është duke tentuar të vë kontakt me personat përgjegjës në televizionin Klan Kosova. Po sa ta kemi një qëndrim zyrtar nga ky televizion, atëherë i njëjti qëndrim do të bëhet publik për lexuesit tanë.
Kujtojmë që televizioni Klan Kosova është një nga televizionet më të mëdha të Kosovës dhe në publik njihet se është pronë e Shkëlqim Devollit, biznismen nga Peja. Ndryshe, para disa ditëve, Adriatik Kelmendi ka dhënë dorëheqje nga pozita e drejtorit gjeneral të Klan Kosovës. /Nacionale/