15.5 C
New York
Thursday, October 2, 2025

Buy now

Petrit Halilaj fiton çmimin “Nasher” për Skulpturë

- Advertisement -

Artisti i njohur kosovar Petrit Halilaj është shpallur laureat i Çmimit Nasher 2027, një nga çmimet më prestigjioze në botën e artit bashkëkohor, duke u vlerësuar për mënyrën se si në veprat e tij ndërthur kujtesën personale, lirinë dhe përvojën e zhvendosjes.

Çmimi, i cili jepet nga Nasher Sculpture Center në Dallas, përfshin shpërblimin prej 100 mijë dollarësh si dhe mundësinë për të zhvilluar programe publike me këtë institucion, ka raportuar “New York Times”, transmeton Klankosova.tv.

Në një reagim pas shpalljes, Halilaj tha se paratë e çmimit do t’i dhurojë për fondacionin e tij “Hajde!”, i cili po punon për rindërtimin e Shtëpisë së Kulturës në Kosovë, e shkatërruar gjatë luftës.

“Jam i obsesionuar me hapjen e saj, dhe ky çmim do të sjellë një garanci më shumë”, u shpreh ai, duke parashikuar që qendra e artit të rihapet brenda dy viteve të ardhshme.

Halilaj, i cili në moshën 12-vjeçare u detyrua të largohej nga shtëpia gjatë luftës së Kosovës pasi forcat serbe dogjën fshatin e tij, e nisi rrugën drejt artit falë këshillës së një psikologu në kampin e refugjatëve në Shqipëri. Sot, më shumë se dy dekada më vonë, ai është bërë një emër i madh në skenën ndërkombëtare të skulpturës dhe artit konceptual, me ekspozita të suksesshme në Metropolitan Museum of Art në Nju Jork dhe Hamburger Bahnhof në Berlin.

Lajmi për çmimin i erdhi Halilajt në një periudhë të vështirë këtë verë, kur ishte në Kosovë për shfaqjen e operës “Syrigana”, e kompozuar nga Lugh O’Neill dhe Nina Guo dhe e porositur nga Filarmonia e Kosovës. Vetëm pak ditë para premierës, rekuizitat e shfaqjes u dogjën dhe mbi to u shkrua fjala “Kill”, por Halilaj arriti që opera të mos ndalej. “Ngjarje të tilla kulturore nuk janë lajm i mirë për ata që duan të mbeten në urrejtje dhe konflikt”, tha ai.

Drejtori i Nasher Sculpture Center, Carlos Basualdo, e cilësoi artin e Halilajt të jashtëzakonshëm për mesazhin e tij universal. “Vepra e tij është veçanërisht domethënëse sot, si për angazhimin e thellë me njerëzoren e përvojës së jetuar, ashtu edhe për mënyrën se si krijon hapësira takimi që tejkalojnë kufijtë artistikë, kulturorë dhe gjeografikë”, u shpreh ai.

Ky çmim e konfirmon Halilajn si një prej zërave më të fuqishëm të artit bashkëkohor evropian dhe botëror

Të ngjashme

Të fundit