Kandidati për deputet nga radhët e PDK-së me numrin 51, Petrit Hajdari, ka uruar veteranët e UÇK-së me rastin e ditës së tyre.
Ai ka shkruar në Facebook se udha e Kosovës është e përshkruar në ditarin e ushtarit të UÇK-së.
Postimi i plotë:
Urime Dita e Veteranit!
Në këtë fotografi të vjetër, të Kompanisë së dytë të Brigadës heroike 114 Fehmi Lladrovci, gjendet një kapitull i gjallë i historisë sonë kombëtare. Këta guximtarë që, si mijëra të tjerë anekënd vendit, e vunë jetën e vet si shpagim për lirinë tonë, janë shënjimi më i qartë i asaj që quhet sakrificë.
Mes tyre jam edhe unë, atëbotë djalë i vogël, por i mbushur me gëzim që, ndonëse të shqetësuar për mua, më lejonin t’i ndiqja e të krijoja kujtime që do t’i mbaj si suvenir gjithë jetën.
Nder i madh, mësim i paharrueshëm.
Sot, në Ditën e Veteranit, nderojmë me përuljen më të thellë të gjithë ata që guxuan, atëherë kur guximi dënohej me vdekje, t’i viheshin në ballë forcës shkatërrimtare të Serbisë me kërkesat humane të popullit të Kosovës.
Udha e Kosovës është e përshkruar në ditarin e ushtarit të UÇK-së. Udha e Kosovës është jetëpërshkrimi i veteranit të saj të luftës.
Lavdi, respekt e përulje, përjetësisht!