Petrit Hajdari, ish-kandidati i PDK-së për kryetar të Komunës së Drenasit ka njoftuar sot se nuk do të jetë pjesë e listës së kandidatëve për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit.
Ai ka bërë publike vendimin përmes një njoftimi drejtuar qytetarëve dhe strukturave të PDK-së, duke shprehur mirënjohje të thellë për mbështetjen e marrë ndër vite, përfshirë edhe rreth 17 mijë votat në zgjedhjet e fundit parlamentare. Hajdari ka falënderuar gjithashtu ish-kryetarin Memli Krasniqi për besimin e dhënë.
“Me krejt forcën time do të jem në mbështetje të PDK-së, siç kam qenë gjithmonë,” ka shkruar ai, duke theksuar se për dallim nga të tjerët, ai i respekton vendimet e partisë edhe kur nuk është dakord me to.
Hajdari tha se nuk dëshiron të bëhet pengesë e bashkimit të synuar nga partia, megjithëse beson se ky vendim nuk është në të mirën e PDK-së. Ai shtoi se nuk mund të tradhtojë përkrahjen e qytetarëve që e kanë mbështetur në secilën garë zgjedhore.
“Përkundër kërkesës së kryetarit dhe kryesisë, kam vendosur të mos jem kandidat, por do të jem krah për PDK-në, kandidatët tanë dhe Bedri Hamzën për kryeministër,” shkroi ai në fund të njoftimit.
Hajdari u shpreh falënderues për të gjithë qytetarët që e kanë mbështetur gjatë viteve, duke konfirmuar se mbetet i përkushtuar ndaj PDK-së dhe angazhimeve të saj politike.
Postimi i plotë:
Qytetarë të dashur, simpatizantë e aktivistë të PDK-së,
Dua t’ju njoftoj se në zgjedhjet e 28 dhjetorit unë nuk do të jem kandidat.
Jam jashtëzakonisht falenderues për mundësinë e dhënë dhe për rreth 17 mijë vota të qytetarëve në zgjedhjet e fundit parlamentare. Thellësisht e falenderoj ish-kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi për besimin e tij treguar ndaj meje.
S’ka dyshim që me krejt forcën time do të jem në mbështetje të PDK-së siç kam qenë gjithmonë.
Sa i përket ikjeve e rikthimeve, unë për dallim prej shumëkujt, vendimet e PDK-së i respektoj edhe kur nuk pajtohem. Kam qenë e jam në përkrahje të PDK-së.
Sidoqoftë, bashkimit të synuar nga partia unë s’i bëhem pengesë. Për të mirën e PDK-së dhe Kosovës, ndonëse besoj që s’është kjo e mira e PDK-së.
Nuk mund ta tradhtoj mundin tim dhe krejt ata qytetarë që më kanë përkrahur në gjithë këto zgjedhje. Prandaj, përkundër kërkesës së kryetarit dhe kryesisë, unë kam vendosur të mos jem kandidat, por do të jem krah për PDK-në dhe kandidatët tanë e Bedri Hamzën për kryeministër.
Ju faleminderit nga zemra të gjithëve!
I juaji,
Petrit E. Hajdari






