Kandidati për kryetar të Drenasit nga radhët e PDK-së, Petrit Hajdari, ka falënderuar qytetarët e kësaj komune për mbështetjen që i kanë dhënë gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 12 tetorit.
Ai është zotuar se do të punojë së bashku me qytetarët e Drenasit për një qytet krenar.
“Drenasi nuk ka kohë për të humbur. Me 12 tetor e ndërrojmë faqen dhe hapim tjetër kapitull. Sepse shtëpi të dytë nuk kemi”, ka shkruar Hajdari në Facebook.
Postimi:
Të dashur qytetarë, simpatizantë e aktivistë,
Bashkë kemi bërë një fushatë model, që kulmoi me një tubim masiv përtej çdo parashikimi. Çastet e kaluara me ju e për ju, në diskutime e në shpjegim të programit tonë, kanë qenë kënaqësi e papërshkrueshme për mua.
Ashtu siç i jemi përgjigjur njëri-tjetrit në këtë fushatë të jashtëzakonshme, ashtu bashkë, do ta japim votën dhe besimin për udhëheqjen që i duhet qytetit tonë.
Drenasi ynë, Drenasi i së ardhmes, shtëpia jonë e përbashkët, është vetëm një ditë larg qeverisjes së re. Asaj që i duhet, asaj që e meriton.
Nuk ju premtoj, por ju garantoj, që Drenasi të cilin do ta udhëheq bashkë me ju, do të jetë një qytet krenar.
Ju falemnderit nga zemra të gjithëve. Për bashkëpunimin tuaj në programin tonë qeverisës, për entuziazmin tuaj takim pas takimi, për përkushtimin tuaj për PDK-në si parti e vlerave shtetformuese. Mbi të gjitha, ju falemnderit edhe për mbrëmjen e paharrueshme që na dhatë me përkrahjen e fuqishme që demonstruat me respekt e qytetari të jashtëzakonshme.
Drenasi nuk ka kohë për të humbur. Me 12 tetor e ndërrojmë faqen dhe hapim tjetër kapitull. Sepse shtëpi të dytë nuk kemi.
I juaji,
Petrit E. Hajdari