Drejtori i së ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka reaguar pas deklarimeve të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili tha se në rast të përshkallëzimit të situatës në veri të Kosovës më 1 shtator, KFOR-i do ta ndalojë një gjë të tillë.
Petkoviq ka vlerësuar se Kurti po kërcënon me konflikt dhe përshkallëzim të dhunës në veri. I njëjti ka përmendur edhe njësitin ROSU, raportojnë mediat serbe, përcjell lajmi.net
“Kam vetëm një mesazh për Kurtin: NATO është e detyruar të parandalojë çdo përpjekje të ROSU-s për pushtimin në veri. Nëse nuk e bëjnë, populli serb do të parandalojë inkursionet e ROSU-s”, ka deklaruar Petkoviq.
Deklarata e tij vjen pasi kryeministri Kurti, përgjatë një interviste për mediumin ‘Bloomberg’, tha se pret që 1 shtatori të jetë një ditë e qetë. Mirëpo, i njëjti tha se në rast të përshkallëzimit të situatës, do të ndërhyjë KFOR-i.
“Pres që 1 shtatori të jetë një ditë e qetë dhe e zakonshme. Por, nëse situata përshkallëzohet në dhunë, policia dhe forcat paqeruajtëse të KFOR-it prej tre mijë e 800 trupash të NATO-s, do ta ndalojnë”, deklaroi ai.
Kryeministri Kurti ka akuzuar vazhdimisht palën serbe për nxitje të deklaratave për dhunë.