Drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka hedhur poshtë pretendimet e bëra nga ministri për Punë të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, se nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radojçiq, gjendet në spitalin ushtarak në Beograd.
“Sveçla gënjeu se Millan Radoiçiq është shtrirë në spitalin ushtarak në Beograd”, ka thënë Petkoviq përmes një deklarate më 27 shtator.
Një ditë më herët, ministri Sveçla gjatë një interviste për Euronews Albania deklaroi se Radojçiq udhëheqës dhe pjesëmarrës në sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit – “ka shumë gjasa që është në spitalin në spitalit ushtarak në Beograd”.
Radoiçiq është nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Më 26 shtator, Sveçla publikoi një video të incizuar me dron, që shfaq Radoiçiqin e armatosur duke qëndruar në manastirin në Banjskë me një grup personash të armatosur dhe të veshur me uniforma ushtarake.
Në Serbi, vetëm ministri i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq, ka komentuar për këto pretendime, duke thënë se ajo video “duket” se nuk ishte incizuar në ditën kur ndodhi sulmi në veri të Kosovës.
“Nuk kam asnjë informacion nëse [Radoiçiqi] është në atë video apo jo, vërtetë nuk e di”, tha Daçiq për Radio Televizionin e Serbisë më 26 shtator.
Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i maskuar dhe i armatosur, teksa forcat e rendit po tentonin të largonin barrikadat që ishin vendosur në një rrugë në fshatin Banjskë të Zveçanit – një prej katër komunave në veri, të banuara me shumicë serbe.