Drejtori i të së ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq ka thënë se mungesa e ftesës për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në takimin për “Zajednicën” “është mesazhi më i qartë që askush nuk i kupton ata që shkelin dhe shkatërrojnë marrëveshjet”.
Petkoviqi ka reaguar pas deklaratës së Kurtit i cili ka thënë se nuk është ftuar në takimin ku do të diskutohet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Takimin e organizon Ambasada e SHBA-së në Prishtinë, më 31 janar.
“Unë nuk jam ftuar në atë takim, por ata që janë ftuar, le të shkojnë në atë takim dhe le ta diskutojnë”, ka thënë Kurti.
“Në urrejtjen e tij patologjike për çdo marrëveshje dhe pajtim të arritur me Beogradin, Albin Kurti nisi të lajë hesapet edhe me të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, për shkak të këmbënguljes së tij për formimin e Asociacionit të komunave serbe”, theksoi Petkoviq.