Kryenegociatori i Serbisë në dialogun me Kosovën, Petar Petkoviq, ka deklaruar dje se gjatë takimit trepalësh në Bruksel me Kosovën dhe me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, delegacioni i Beogradit ka insistuar në formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, si dhe ka paraqitur “një plan për de-përshkallëzimin e situatës në veri të Kosovës”.
Petkoviq ka deklaruar pas takimit se bisedimet kanë qenë të vështira dhe të lodhshme, si dhe se ai ka insistuar se normalizimi i marrëdhënieve duhet të fillojë me “de-përshkallëzim” dhe formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, thuhet në komunikatën e zyrës së Petkoviqit.
“Fola edhe për “terrorin” e Albin Kurtit ndaj serbëve, sidomos në veri, dhe përsëri dorëzuam listën me veprimet më të fundit eskaluese. Fola për arrestimet, përndjekjen e përfaqësuesve të popullit serb, përfshirë përfaqësuesit e Listës Serbe, si dhe për çështje të tjera si të zhdukurit. Konfirmuam pjesëmarrjen në takimin e grupit punues për çështjen e të zhdukurve më 26 qershor në Gjenevë”, ka deklaruar Petkoviq.
Sipas tij, temat e diskutimit përfshinë edhe kompaninë MTS dhe çështjet e energjisë, për të cilat tha se janë paraqitur probleme, si dhe u kërkua që oficeri ndërlidhës të marrë leje për të vizituar serbët e burgosur në Prishtinë.
“Por më e rëndësishmja është që duhet të formohet Asociacioni dhe të vazhdojë diskutimi për statutin e saj. Kjo është ndalur që para një viti e gjysmë. Prishtina nuk ka dashur të vazhdojë bisedimet për këtë çështje. Në atë kohë u mor edhe “vendimi i tmerrshëm” për ndalimin e dinarit. Duhet të bisedojmë për statutin dhe të vijmë deri te formimi i Asociacionit. Fola edhe për mbylljen e institucioneve serbe dhe faktin që “populli serb ka mbetur pa to”. Detyra jonë është të luftojmë për popullin tonë”, ka vazhduar Petkoviq me demagogjinë e tij për konsum të brendshëm.
Ai gjithashtu ka thënë se delegacioni i Beogradit ka paraqitur “një plan për de-përshkallëzimin e situatës gjatë takimit”.
“Çështja e të drejtave të njeriut duhet të jetë në plan të parë dhe të dominojë, të jetë tema e të gjitha temave,” tha ai.
I pyetur nga gazetarët, Petkoviq tha se ekziston një statut i ekipit menaxhues, si dhe një draft-statut i përgatitur nga BE-ja dhe se për këtë duhet të flitet, por më e rëndësishmja është që teksti përfundimtar që do të miratohet të bazohet në Marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015.
“Më pas shpjegova përsëri pse, edhe pse drafti i statutit nga ana e ekipit menaxhues ishte përfunduar dhe thjesht ishte dërguar Bashkimit Evropian në vitin 2018, nuk është paraqitur deri më 2023. Shpjegova se arsyeja është se BE për pesë vjet nuk iu përgjigj emailit dhe kërkesës së ekipit menaxhues. Dhe tregova dëshmi konkrete në emailet e dërguara atëherë dhe më pas të përsëritura. Po flas për disa detaje që t’ju tregoj se për këtë është diskutuar në kuadër të takimit trepalësh, sepse kjo për ne është tema kryesore,” ka thënë Petkoviq.