Kati Schneeberger, këshilltare lokale e BE-së, disa ditë më herët ka nisur një peticion online ku i bëhet thirrje BE-së që t’i liberalizojë vizat për Kosovën. Deri sot, ky peticion ka mbledhur mbi 14 mijë nënshkrime dhe është afër për t’i arritur 15 mijë.
Në arsyetimin e peticionit, thuhet se Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet e kërkuara për liberalizimin e vizave, por kundërshtohet nga Franca e Holanda. Kjo gjë për Schneerberger është padrejtësi ndaj Kosovës.
“Ky trajtim i pabarabartë më në fund duhet të përfundojë. Qytetarët e Kosovës nuk duhet të jenë më të izoluar. Kështu që, ne bëjmë thirrje që Kosovës t’i liberalizohen vizat në samitin e radhës të BE-së në qershor 2022”, thuhet në thirrjen e peticionit.
Schneerberger ka thënë se ky peticion do t’i dërgohet edhe shteteve jo-njohëse të Kosovës. Zyrtarja e BE-së ka bërë të ditur se ende nuk është kontaktuar nga institucionet e Kosovës.