Ushqimi nuk mund të na “rinojë” në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, por ndikimi i tij në trup dhe lëkurë shpesh i tejkalon edhe serumet dhe kremrat më të shtrenjtë.
Edhe pse i përdorim lehtësisht produktet kozmetike, shpesh harrojmë se sa shumë mund të na ndihmojë ushqimi në luftën kundër plakjes. Ushqimet e pasura me antioksidantë mund të zvogëlojnë dëmtimin e qelizave, të mbrojnë ADN-në nga radikalet e lira dhe të ngadalësojnë shenjat e dukshme të plakjes.
Për më tepër, vitaminat dhe mineralet nga ushqime të caktuara mund të rrisin prodhimin e kolagjenit dhe të ndihmojnë lëkurën të duket më e shëndetshme dhe më e lëmuar. Sipas nutricionistëve dhe ekspertëve të ndryshëm të ushqimit, këto janë ushqimet që kontribuojnë në shëndetin dhe jetëgjatësinë e lëkurës dhe mbrojnë nga stresi oksidativ.
Boronica
Boronicat janë të mbushura me antioksidantë, veçanërisht antocianina, të cilat neutralizojnë radikalet e lira dhe zvogëlojnë stresin oksidativ. Përveç përmirësimit të shëndetit të lëkurës falë bollëkut të vitaminës C, ato kanë edhe një efekt pozitiv në kujtesë dhe funksionin njohës, duke mbrojtur qelizat e trurit, pohon nutricionisti dhe mjeku Dr. Terry Shintani.
Spinaqi
Spinaqi përmban përbërës të tillë si luteina dhe zeaksantina që mbrojnë trurin dhe sytë nga stresi oksidativ. Është i pasur me vitaminë C dhe beta-karoten, dhe falë përmbajtjes së lartë të ujit, ndihmon në hidratimin e lëkurës, shkruan SheFinds.
Arrat
Arrat përmbajnë acide yndyrore omega-3 që mbështesin funksionin e trurit, polifenole dhe vitaminë E për të zvogëluar inflamacionin, si dhe magnez dhe L-argininë që përmirësojnë qarkullimin e gjakut dhe shëndetin e enëve të gjakut, pohon Dr. Shintani.
Domatet
Domatet janë të pasura me likopen – një antioksidant i fuqishëm që mbron lëkurën nga dëmtimet e rrezeve UV. Ato gjithashtu përmbajnë vitaminë C, e cila stimulon prodhimin e kolagjenit dhe ndihmon në luftimin e inflamacionit.
Avokado
Falë yndyrnave të shëndetshme mono të pangopura, avokadot ndihmojnë në mbajtjen e lëkurës së lëmuar, elastike dhe të hidratuar. Vitamina C stimulon prodhimin e kolagjenit, ndërsa vitamina E mbron lëkurën nga thatësia dhe efektet e dëmshme të diellit, shkruan Index.hr, transmeton Klankosova.tv.
Edhe pse asnjë ushqim i vetëm nuk është një mrekullibërës, një dietë e ekuilibruar e pasur me antioksidantë natyralë dhe yndyrna të shëndetshme mund të kontribuojë dukshëm në shëndetin e lëkurës dhe në ngadalësimin e shenjave të plakjes.