18 C
New York
Thursday, October 24, 2024

Buy now

Pesë sfidat për Rutten si shef i NATO-s

- Advertisement -

Prej Trumpit te Wildersi, mungesa e parave e deri te sistemet ajrore të mbrojtjes, sekretari i përgjithshëm i NATO-s do të ketë goxha punë.

Kur Mark Rutte do të ulet në zyrën e tij në NATO, ai nuk do të ketë kohë për muaj të mjaltit.

Fushata për sekretar të përgjithshëm e kryeministri në largim i Holandës u mbyll me sukses të enjten kur mori përkrahjen nga 32 aleatet e NATO-s (me Rumaninë që në fund njoftoi se do ta përkrahte). Udhëheqësi Jens Stoltenberg do të largohet nga posti deri më 1 tetor.

Në një analizë, revista e njohur “Politico” ka treguar për përvojën e Ruttes dhe kapacitetet e tij si sigurues efektiv i konsensusit, përcjell gazeta online Reporteri.net.

“Rutte, i cili i ka prirë ekonomisë së pestë më të madhe të BE-së për 14 vjet, gjerësisht lavdërohet si ndërtues efektiv i konsensusit, teksa ka shprehur përkrahje për Ukrainën, përfshirë stërvitjet e pilotëve ukrainas për të pilotuar aeroplanët luftarakë F-16”, shkruan “Politico”.

Mirëpo edhe për një politikan si ai, kapitulli i ri i Ruttes nuk do të jetë si ecje në park. Atë e presin pesë çështje shumë të vështira me të cilat duhet të merret.

Kthimi i mundshëm i Donald Trumpit

Katër javë pasi Rutte do të nisë punën e tij të re, amerikanët do t’ua mësyjnë kutive të votimit dhe mund ta rizgjedhin Donald Trumpin, skeptik i NATO-s.

Gjatë fushatës, Trumpi ka kërcënuar se do të ndalë ndihmën amerikane për Ukrainën në rast se kthehet në Shtëpinë e Bardhë. Në rast se e mban premtimin, mund të ketë pasoja të mëdha për kredibilitetin e aleatëve të NATO-s në ndihmën për Ukrainën që të mposhtë e vetme Rusinë, duke e ditur se SHBA-ja deri më tani ka qenë dhuruesja më e madhe e ndihmave ushtarake për Kievin.

Rizgjedhja e Trumpit me shumë siguri do të ndalë planet e NATO-s që ta përgatis Ukrainën për anëtarësim, përfshirë kompletimin e perëndimizimit të ushtrisë ukrainase.

Shtetet e NATO-s gjatë vitit të kaluar kanë premtuar se do të jenë në pozicion që të zgjasin ftesën oër Ukrainën që të anëtarësohet në aleancë kur shtetet anëtare u pajtuan për kushtet.

Bazuar në deklaratat e Trumpit kundër presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, ky angazhim i SHBA-së duket i lëkundur.

Zelenskyy “mund shitësi më i madh i çdo politikani që ka jetuar ndonjëherë”, ka thënë Trumpi për presidentin ukrainas gjatë javës së kaluar. “Katër ditë më parë u largua me 60 miliardë dollarë (pas nënshkrimit të marrëveshjes 10-vjeçare të sigurisë me presidentin Joe Biden) dhe do të kthehet në shtëpi dhe do të deklarojë se do t’i duhen edhe 60 miliardë dollarë. Kurrë nuk përfundon”, ka shtuar ish-presidenti amerikan.

Sulmi dimëror i Putinit ndaj Ukrainës

Rutte sapo të marrë detyrën, Ukraina do ta telefonojë për t’i kërkuar ndihmë me afrimin e dimrit.

Në muajt e fundit, Rusia ka shpeshtuar bombardimet kundër qendrave termale dhe digave të Ukrainës – infrastrukturë që duhet vite për t’u riparuar plotësisht.

Skenari i Kremlinit nuk është i ri. Gjatë dimrit të parë të luftës, mes viteve 2022-2023, ishte sulmuar infrastruktura energjetike e Ukrainës.

Çelsi, sipas shefit në ikje të NATO-s, Stoltenbergut, gjendet te forcimi i sistemeve ajrore që mund të mbrojnë furnizuesit energjetikë dhe ua mundësojnë ekipeve që të punojnë në riparimin e qendrave të bombarduara.

Shtetet e NATO-s gjithashtu kanë vështirësi që të dërgojnë sistemet e mbrojtjes ajrore në Ukrainë. Evropa nuk ka shumë pajisje mbrojtëse dhe ndihma nga SHBA-ja ishte shtyrë në Kongres. Ndërkaq, shtetet me lidhje të ngushta me Rusinë nuk kanë shprehur gatishmëri që të ofrojnë sistemet e tyre mbrojtëse në këtë kohë të rrezikshme.

Shpenzimet e shteteve anëtare

NATO-ja gjatë kësaj jave festoi për numrin rekord të shteteve anëtare që shpenzuan 2 për qind të GDP-së për mbrojtjen e tyre. Këtë e arritën 23 shtete. Në fakt, Holanda sapo e kaloi shumën e kërkuar, pas disa vitesh prapa me shpenzime.

Kjo do të thotë se një e treta e aleancës ende nuk ka arritur kufirin e kërkuar, ani pse këtë premtim e kanë dhënë para 10 vjetësh.

Shtetet e Evropës Jugore janë më të këqijat në shpenzimet e mbrojtjes.

Në Itali, shpenzimet në mbrojtje kanë rënë nën 1.5 për qind, ndërkaq Spanja do të shpenzojë vetëm 1.28 për qind sivjet. Portugalia ka shpenzuar 1.55 për qind të GDP-së.

Fiks mungesën e shpenzimeve nga shtetet e tjera e kishte kritikuar Trumpi, i cili kishte deklaruar se nuk do të mbronte nga agresioni rus shtetet që nuk shpenzojnë.

Kriza në rripin lindor

Shtetet në kufi me Rusinë nuk janë fanset më të mëdha të Ruttes.

Ato janë të pakënaqura me shifrat e ulëta të shpenzimeve nga Holanda dhe sidomos të zhgënjyera se roli kryesor i NATO-s gjithmonë shkon te politikanët e Evropës Perëndimore apo Veriore.

Kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas nuk ka hyrë në garë për NATO pasi e ka pranuar se nuk do të kishte përkrahjen e SHBA-së, Francës dhe Gjermanisë. Këto shtete frikësoheshin se emërimi i saj do ta nxiste Moskën për përkeqësim të krizës.

Shtetet e rripit lindor tani do të kërkojnë përfaqësim më të mirë duke synuar pozitën e zëvendës-sekretarit gjeneral dhe disa pozita më të ulëta.

Liderët e Evropës që e pëlqejnë Putinin

Nuk është vetëm Trumpi, të cilin Rutte do të duhet ta bind që ta mbajë gjallë aleancën e NATO-s.

Nëpër Evropë ka shumë skeptikë të NATO-s dhe aso që u pëlqen Putini.

Rutte nisi të mendonte për këtë pozitë kur u bë e qartë se partia e tij e qendrës së djathtë do të humbiste zgjedhjet përballë partisë së djathtë ekstreme të cilës i prin Geert Wilders, i cili njihet si Trumpi i Evropës.

Wilders, gjatë vitit të kaluar është pyetur për qëndrimin e tij për Vladimir Putinin dhe është përgjigjur: “E duartrokas atë siç e duartrokas Trumpin që janë liderë, që po qëndrojnë përkrah popujve rusë dhe amerikanë”.

Për një gjë Rutte nuk duhet shqetësuar: Puna e tij e re nuk do të jetë e mërzitshme.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit