Shpallja e aktgjykimit ndaj tij u bë të enjten nga gjykatësi i rastit, Kushtrim Shyti.
Sipas aktgjykimit, në dënimin e shqiptuar me burgim të njëjtit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga data 22.07.2024, ndërsa do t’i vazhdohet edhe masa e paraburgimit nga dita e sotme deri sa ky aktgjykim të bëhet i plotfuqishëm, por jo më gjatë se koha e dënimit të shqiptuar.
Po ashtu, gjykata ndaj të akuzuarit Zlaktoviq shqiptoi edhe dënimin plotësues – dëbim i të huajit nga territori i Republikës së Kosovës në kohëzgjatje prej pesë vite, mirëpo koha e mbajtur në burg nuk i llogaritet në kohëzgjatjen e këtij dënimi.
Gjithashtu, i akuzuari obligohet që të paguajë edhe shpenzimet procedurale dhe atë për paushallin gjyqësor shumën prej 100 euro si dhe për Fondin e kompensimit e viktimave të krimit shumën prej 100 euro.
Ndërsa, kërkesë pasurore-juridike në këtë çështje penale nuk pati, kurse palët e pakënaqura kundër këtij vendimi kanë të drejtë ankese përmes kësaj gjykate në Gjykatën e Apelit.
Pasi që gjykatësi përfundoi shpalljen e aktgjykimit, mbrojtësi i të akuzuarit Zlatkoviq, avokati Shyqyri Syla pyeti gjykatësin nëse dënimi i shqiptuar me burgim mund të zëvendësohet në dënim me gjobë, por këtë nuk e mundësoi gjykatësi Shyti.
I akuzuari për fyerjen e UÇK-së dhe nënave shqiptare pranon fajësinë
Në seancën fillestare të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, i akuzuari Sasha Zlatkoviq ka pranuar fajësinë lidhur me akuzën se nxori në rrjete sociale një video-xhirim, ku fyhej logoja e UÇK-së dhe nënat shqiptare.
“Ndihem fajtor dhe unë e kam pranuar menjëherë fajin tim, nuk ka qenë e qëllimshme nuk është dashur të ndodh kështu, por ka dal qysh ka dal dhe në fund pendohem për këtë që ka ndodhur”, tha i akuzuari Zlatkoviq.
Një deklarim të tillë, i akuzuari e bëri pas leximit të aktakuzës nga prokurorja speciale Fikrije Krasniqi-Fejzullahu raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 16 gusht 2024, ka ngritur aktakuzë kundër Sasha Zlatkoviq, i cili akuzohet se me dashje ka nxitë, përhap publikisht urrejtje, përçarje dhe mos durim në mes grupeve kombëtare.
Sipas aktakuzës, këto veprime i njëjti i ka bërë më 26 korrik 2024, në Deçan, derisa ai ishte duke lëvizur me veturën e tij të markës “Polo” dhe nga vetura e tij ka realizuar një video-incizim me telefon një veture para tij e tipit “Golf 3”, e cila prapa kishte të vendosur emblemën e UÇK-së, e më pas i njëjti iu kishte drejtuar me fjalët në gjuhën serbe (përkthyer shqip: “Shikoni se si terroristët e UÇK-së vozisin nëpër Deçan, njeriu ka stemën e UÇK-së, sikur me mbajt stemën e Zvezdës e Partizanit, jav q*** nënën shqiptarëve e stërvinave, e ishalla e godet dikush nga mbrapa”.
E këtë video-incizim, aktakuza thotë se ai e ka publikuar në llogarinë e tij në rrjetin social “Tik-Tok”.
Me këto veprime, Zlatkoviq akuzohet se ka kryer veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mos durimit”, nga neni 141 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në pesë vjet.