Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka bërë hapjen e ofertave zyrtare të aplikimeve të Operatorëve Ekonomik në fazën parakualifikuese, përmes platformës elektronike të e- prokurimit, për projektin: “Rehabilitimi dhe Modernizimi i njësisë A3 në TC Kosova A”.
Konzorciumet/kompanitë e përbëra nga ndërkombëtarë e vendorë, janë: “SBB Energy S.A; Intering SH.PK, EthosEnergy”, “LIMAK INSAAT SANAYI ve TICARET A.S”, “GOLDEN CONCORD GROUP LIMITED”, “KEPCO Plant Service Engineering Co.LTD, DYPNF Co., Ltd, BHI CO, Ltd” dhe “HIB Petrol SH.P.K; Florian Viqa; NTPC Limited”.
Me këtë rast, Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se janë pranuar pesë oferta nga kompani prestigjioze që vijnë nga shtete të ndryshme.
“Kjo dëshmon që sot po përmbyllim një garë serioze me një numër të mjaftueshëm të aplikantëve për të vazhduar në fazën e radhës. Aplikimi i këtyre kompanive/konzorciumeve tregon që kanë zgjedhur të besojnë në këtë proces në KEK-un dhe në Republikën e Kosovës në një të ardhme të sektorit energjetik më të mirë dhe më të sigurt që po e ndërtojmë”, ka thënë ajo.
Ministrja foli edhe për përfitimet që do të ketë sektori energjetik pas këtij investimi.
“Me këtë investim që po planifikohet dhe realizohet, Blloku A3 do të vazhdojë të shërbejë edhe për së paku 20 vite të tjera, me një investim mbi 137 milionë euro nga mjetet vetanake të KEK-ut, do të sjellë përfitime të shumëfishta: Do të prodhojë më shumë: 215 megavat bruto, nga vetëm 130-140 sa ka aktualisht, do të punojë më gjatë: nga 5,400 orë operimi në vit, në 7,700 orë operimi në vit, do të djegë më pak qymyr: nga 1,6 tonë thëngjill aktualisht, në 1,15 tonë dhe do të ndotë më pak: duke përmbushur standardet mjedisore të BE-së”, përfundoi ajo.
Ndërsa, kryesuesi i Bordit të KEK-ut, Valdrin Krasniqi tha se projekti është i rëndësishëm për të gjithë sektorin energjetik të Kosovës.
“Ky projekt është hap i rëndësishëm për KEK-un, por edhe për të gjithë sektorin energjetik të Kosovës. Nuk bëhet fjalë këtu vetëm për një ndërhyrje teknike, por për një transformim të vërtetë drejt më shumë efikasitetit, qëndrueshmërisë, por edhe mbrojtjes së mjedisit”, ka thënë ai.
Kryeshefi ekzekutiv i KEK, Gramoz Hashani tha se ky është një moment historik i sektorit elektroenegjetik të Kosovës.