Trupi gjykues në rastin kundër Pjetër Shalës ka refuzuar pesë dëshmitarë që mbrojtja kishte parashikuar të dhënë dëshmi në këtë çështje gjyqësore. Kjo është bërë e ditur në konferencën përgatitore për mbrojtjen që po mbahet në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Gjithashtu, trupi gjykues ka udhëzuar mbrojtjen që të dorëzojë një listë të përditësuar të dëshmitarëve deri të martën e 29 gushtit.
“Mbrojtja ka thënë se i duhen 48.5 orë për të marrë në pyetje dëshmitarët e saj, pas heqjes nga lista e të pesë dëshmitarëve, trupi gjykues konstaton se është e përshtatshme të jepen 40.5 për mbrojtjen për paraqitjen e provave të veta. Kjo nuk cenon faktin që turpi gjykues të rishikojë kohën e dhënë”, ka thënë kryegjykatësja Mappie Veldt Foglia.
Pjetër Shala por merr pjesë në këtë konferencë përmes videolidhjes nga qendra e paraburgimit në Hagë ku po qëndron prej marsit të vitit 2021.
Sipas Speciales “Krimet për të cilat akuzohet z.Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës(Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.