Së bashku me ministrin e Mjedisit, Planifikimin Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe dy zëvendësministrat në këtë ministri, Hysen Durmishi dhe Jeton Raka, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti bëri përurimin e rrugës Zhur-Brod që lidhë fshatrat Zhur-Dragash dhe Dragash-Brod, me një gjatësi prej 42 kilometra dhe vlerë të investimit afër 7.9 milionë euro.
Me rastin e përurimit, kryeministri Kurti foli për rëndësinë e funksionalizimit të kësaj rruge e cila është shumë e rëndësishme për qarkullimin e lirë, ekonominë dhe turizmin, duke shtuar se këto vise të bukura do të duhej të vizitoheshin nga mbarë Kosova.
Ai falënderoi punëkryesin dhe punëtorët si dhe Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për punën dhe angazhimin e tyre në finalizimin e punimeve të kësaj rruge të rëndësishme jo vetëm për banorët e zonës, por edhe për gjithë qytetarët.
Ministri Aliu tha se kjo rrugë e ka një rëndësi për zhvillimin ekonomik, sepse ajo e lidhë vendin me Brodin ku turizmi malor dhe dimëror e veror është duke u zhvilluar si dhe paraqet mundësi më shumë për tërheqjen e vizitorëve të brendshëm dhe nga jashtë vendit. Ndërkaq, zëvendësministri Durmishi veçoi se pjesa prej Zhurit deri në Dragash është me tre korsi, kurse pjesa tjetër është me dy korsi. Për vitin e ardhshëm, ai njoftoi se tashmë është paraparë buxhet me të cilin do të bëhet edhe rehabilitimi i rrugës prej qendrës së Dragashit e deri në dalje të Dragashit me gjatësi 2.4 kilometra.