14.2 C
New York
Saturday, October 4, 2025

Buy now

Përurohet rruga Gorozhup-Pogaj, projekt i marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë

- Advertisement -

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ushtruesin e detyrës së Ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kosovës, Petrit Malaj, prefektin e Qarkut Kukës, Dritan Baji, kryetarin e Bashkisë Has, Miftar Dauti, deputetë të dy kuvendeve të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, përuruan sot rrugën ndërkufitare Gorozhup (Has të Prizrenit)-Pogaj, projekt ky në kuadër të marrëveshjeve të nënshkruar ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.

 

Me këtë rast, kryeministri Kurti tha se përurimi i kësaj rruge është tejet i rëndësishëm për banorët e kësaj zone, por edhe për turizmin malor e kulturor, të dy republikave tona të të njëjtit komb, si një arterie vendimtare për qarkullimin e lirë, për shkëmbimet të cilat do të jenë gjithnjë e më të mëdha.

 

“Kjo është një pjesë e vogël e borxhit të madh që kemi ndaj këtij komuniteti, që i ka dhënë shumë edhe zhvillimit ekonomik edhe historisë sonë kombëtare”, tha kryeministri Kurti, duke shtuar se pas përfundimit të rrugës Kërstec-Pakishtë-Zapot, e cila ishte me vlerë prej 2.6 milionë euro, kjo rrugë që inauguruam sot, Gorozhup-Pogaj është në vlerë prej afër 1 milion euro dhe me gjatësi prej 3.7 kilometra.

 

Rruga e përuruar sot i lidhë fshatrat, Gorozhup edhe Pogaj, që historikisht kanë qenë një dhe të cilat i bashkojnë familja, tradita dhe jeta e përditshme. Kryeministri theksoi se lidhja jonë me Shqipërinë, përveç se historike e shpirtërore, duhet të jetë edhe fizike, e pikërisht kjo rrugë që e inaugurojmë sot është një dëshmi për hapat konkretë në drejtimin e duhur.

 

Ushtruesi i detyrës së Ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, u shpreh se para dy vitesh është nënshkruar protokolli i marrëveshjeve për tri rrugë, rrugën Kërstec-Pakishtë-Zapot, e një rëndësie të veçantë, këtë rrugë të cilën po e përurojmë sot që i ka ndarë padrejtësisht banorët prej shumë e shumë kohësh, dhe rrugën Dobrunë-Blinishtë, e cila ka qenë pjesë e kësaj marrëveshje.

 

Ai shtoi se Qeveria e Kosovës është e interesuar që të vazhdojë bashkëpunimin me Republikën e Shqipërisë edhe për shumë projekte të tjera, të cilat janë shumë të rëndësishme në këtë zonë.  Me këtë rast, ai përmendi se një prej projekteve më të rëndësishme është vazhdimi i kësaj rruge prej Pogaj në Kishaj, pastaj Kishaj-Cahan, dhe nga Cahani në Krumë. Ai foli edhe për projekte të tjera, për të cilat tha se do t’i bëjnë bashkë dy qeveritë, Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë.

 

 

Ndërkaq, ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kosovës, Petrit Malaj, tha se në këtë ditë solemne duke inauguruar këtë rrugë, ne hapim një kapitull të ri në dobi të kombit tonë. Ai theksoi se rruga Gorozhup-Pogaj është më shumë sesa asfalt apo gurë, është një urë që lidh dy fshatra, dy treva, dy anë të një kombi, dhe se ky investim është testament i lidhjes sonë historike dhe shpirtërore, lidhje që ka mbijetuar në shekuj. 

 

Kryetari i Bashkisë Has, Miftar Dauti, falënderoi kryeministrin Kurti për punën e bërë, duke thënë se sot Hasi ka plotësuar ëndrrën disavjeçare, bashkimin e trojeve hasjane. Ai tha se bashkërisht duhet të kontribuojmë që të bashkojmë çdo arterie që bashkohet Hasi me Hasin dhe Kosova me Shqipërinë, sepse vetëm në këtë mënyrën hiqen barrierat e vëna vite më parë.

 

 

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

 

I nderuari ushtrues detyre i ministrit të Mjedisit, Planifikimit, Hapësinore dhe Infrastrukture, z. Hysen Durmishi,

I nderuari ambasador i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kosovës, shkëlqesia juaj Petrit Malaj,

I nderuari ish-ambasador i Republikës së Shqipërisë, Qemal Minxhozi,

I nderuari prefekt i Qarkut Kukës, Dritan Baji,

I nderuari Kryetar i Bashkisë Has, Miftar Dauti,

Të nderuar deputetë të dy kuvendeve të republikave tona, Eduard Shalsi nga Partia Socialiste, Flamur Hoxha nga Partia Demokratike dhe Artan Abrashi nga Lëvizja Vetëvendosje,

Zonja dhe zotëri, motra dhe vëllezër,

 

Sot shënojmë përurimin e projektit të radhës rrugor në kuadër të marrëveshjeve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë në zonën kufitare. Pas përfundimit të rrugës Kërstec-Pakishtë-Zapot, me vlerë prej 2.6 milionë euro, sot inaugurojmë edhe rrugën Gorozhup-Pogaj me një investim prej afro 1 milion euro, me gjatësi prej 3.7 kilometra.

 

Kjo rrugë i lidh dy komunitete, që historikisht kanë qenë një, fshatrat Gorozhup dhe Pogaj, të cilat i bashkojnë familja, tradita dhe jeta e përditshme.

 

Lidhja jonë me Shqipërinë nuk është vetëm historike e shpirtërore, ajo duhet të jetë edhe fizike dhe në këtë drejtim ne po ecim bashkë me hapa konkret.

 

Të dashur qytetarë e banorë të këtyre zonave, urime dhe e gëzofshi rrugën!

 

Prononcimi i kryeministrit Kurti:

 

Jemi këtu bashkë me ministrin në detyrë të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, me shkëlqesinë e tij, ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, me ish-ambasadorin Qemal Minxhozi, me deputetë të nderuar të Partisë Socialiste, Eduard Shalsi, të Partisë Demokratike Flamur Hoxha,  dhe të Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi e Arbër Rexhaj, por natyrisht do të thosha mbi të gjitha me Kryetarin e Bashkisë Has, me Miftar Dauti, dhe me prefektin e Qarkut Kukës, Dritan Baji, që të bëjmë inaugurimin, përurimin e kësaj rrugë tejet të rëndësishme për banorët e kësaj zone, por edhe për turizmin malor e kulturor, të dy republikave tona të të njëjtit komb, si një arterie vendimtare për qarkullimin e lirë, për shkëmbimet të cilat do të jenë gjithnjë e më të mëdha.

 

Kjo është një pjesë e vogël e borxhit të madh që kemi ndaj këtij komuniteti, që i ka dhënë shumë edhe zhvillimit ekonomik edhe historisë sonë kombëtare.

 

Pas përfundimit të rrugës Kërstec-Pakishtë-Zapot, e cila ishte me vlerë prej 2.6 milionë euro, kjo rrugë që inauguruam sot, Gorozhup-Pogaj është në vlerë prej afër 1 milion euro dhe me gjatësi prej 3.7 kilometra. I lidhë këto fshatrat, Gorozhup edhe Pogaj, që historikisht kanë qenë një dhe të cilat i bashkojnë familja, tradita dhe jeta e përditshme.

 

Pra, lidhja jonë me Shqipërinë, përveçse historike e shpirtërore, duhet të jetë edhe fizike, e pikërisht kjo rrugë që e inaugurojmë sot është një dëshmi për hapat konkretë në drejtimin e duhur.

 

Unë i uroj të gjithë kolegët e mi nga politika në Kosovë e politika në Shqipëri, e mbi të gjitha banorët, të cilët do ta gëzojnë këtë rrugë e shpresoj që do të kenë edhe më shumë vizitorë, të cilët do t’i shohin këto male të bukura, e njëkohësisht do të qëndrojnë këtu, sepse është mirë jo vetëm për syrin, por edhe shëndetin.

 

Të ngjashme

Të fundit