15.6 C
New York
Thursday, May 8, 2025

Buy now

Përurohet libri “Ushtria Çlirimtare e Kosovës në shënjestër të vazhdueshme” i autorit Bardhyl Mahmuti

- Advertisement -

Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” të mërkurën është bërë përurimi i librit “Ushtria Çlirimtare e Kosovës në shënjestër të vazhdueshme” i autorit Bardhyl Mahmuti.

Në këtë përurim ishte i pranishëm edhe autori i librit, ku u zhvillua edhe një bashkëbisedim për këtë libër dhe për tema me interes kombëtar.

Libri “Ushtria Çlirimtare e Kosovës në shënjestër të vazhdueshme” i Bardhyl Mahmutit zbërthen manipulimet serbe për të zhdukurit dhe përpjekjet për kriminalizimin e luftës çlirimtare, tha ish-anëtar i Shtabit të Përgjithshëm i UÇK-së, Ramë Buja, në përurimin e këtij libri.

“Kush dëshiron të mësojë të vërtetën lakuriqe për luftën në Kosovë duhet ta lexojë këtë libër. Është një mrekulli vërejtëse për kohën e një epoke të luftës. Ky libër vjen si një dhuratë fatsjellëse. Ka kaluar një kohë shumë e gjatë dhe është e vështirë të kujtohen ato ngjarje, sado që të kenë lënë gjurmë. Për të bërë të qartë se çfarë ndodhi në Kosovë, diçka që vështirë mund të mendohet e lëre më të realizohet. Në këtë libër zë vend serioz zgjerimi i manipulimit serb për të zhdukurit e luftës, gënjeshtra dhe manipulime që po vazhdojnë edhe sot në Gjykatën e Hagës. Edhe këtu bëhet një lojë. Ishte e ditur që nuk ishte ajo synimi i ushtarëve të UÇK-së e assesi të merren me civilët serbë”, tha Buja.

Historiani Genc Prelvukaj vlerësoi trajtimin shkencor të zhvillimeve politike e ushtarake, duke theksuar se libri demaskon dezinformimet dhe saktëson të vërtetat e shtrembëruara.

“Trajtimi shkencor i zhvillimit politik dhe ushtarak nënkupton çështje komplekse. Ky botim vetëm i pasuron raftet e literaturës. Gjatë kohës janë bërë shumë punime, por deri tani në opinionin publik kanë qarkulluar vetëm informata sporadike, që më pas kanë ngatërruar gjithçka. Ky libër korrekton ato që janë thënë gabim. Në kuadër të veprës, autori bën denoncimin e pasaktësive. Janë hulumtuar rastet kur janë bërë sajime nga serbët për persona që nuk kanë qenë civilë. Në mënyrë të vëmendshme trajtohen rastet e vrasjeve dhe demaskohen të gjitha rastet. Pjesa më interesante ka të bëjë me sqarime duke dhënë argumente”, tha Prelvukaj.

Autori i librit “Ushtria Çlirimtare e Kosovës, në shënjestër të vazhdueshme”, Bardhyl Mahmuti, tha se e ka ndier obligim moral të ndajë të vërtetat që i ka mbajtur për vete për dekada, duke u bërë thirrje shqiptarëve të ruajnë kujtesën historike dhe të jenë mirënjohës ndaj atyre që kontribuuan për lirinë e Kosovës.

“Kam qenë dëshmitar i drejtpërdrejtë dhe e kam parë të domosdoshme të nxjerr në opinionin publik atë që kam dashur ta mbaj me vete deri në botën tjetër. Pse kam dashur ta mbaj për vete? Dikur shqiptarët kanë qenë besnikë, por kishte zënë vend çështja se shqiptarët nuk e mbajnë fjalën. Duke parë, interpretimet e asaj kohe, pas një çerek shekulli kam nxjerrë një pjesë ku kam qenë dëshmitar dhe kam folur në vetën e parë njëjës. Të gjitha takimet i kam biseduar. Thashë: është e domosdoshme t’i nxjerrim të gjitha ato për ata që u intereson e vërteta, kanë mundësinë ta lexojnë. Ne e kemi për obligim të vërtetën ta themi, ashtu siç është. Kosova duhet të jetë mirënjohëse për çdo njeri që ka dhënë kontribut. Unë kam bërë ato veprimtari ku unë kam qenë prezent në ngjarje”, tha autori i librit Bardhyl Mahmuti.

Të ngjashme

Të fundit