20.1 C
New York
Wednesday, June 11, 2025

Buy now

Përurohet çerdhe e re në Skënderaj

- Advertisement -

 

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në përurimin e çerdhes më të re në komunën e Skënderajt, bashkë me ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ambasadorin e Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav dhe kryetarin e komunës së Skenderajt, Fadil Nura.

 

Në adresimin e tij, kryeministri tha se kjo çerdhe e re nuk është vetëm hap përpara në zhvillimin e shoqërisë, por njëkohësisht tregues i fuqishëm që fëmija është kryefjala e politikave publike dhe veprimeve konkrete tona të përbashkëta.

Ai shtoi se investimet tona në Komunën e Skënderajt gjatë këtij mandati kapin totalin prej 3,2 milionë euro, nga të cilat 2,1 milionë euro është shuma e punimeve të finalizuara deri tani, ndërkaq rreth 66 mijë euro inventar nga Ministria e Arsimit janë vetëm fillimi i mbështetjes sonë për këtë fole të re për brezin e ri.

 

Duke shprehur mirënjohjen ndaj Bashkimit Evropian për mbështetjen, kryeministri tha se: “Kjo çerdhe është një shembull i mirë se si investimet e Bashkimit Evropian po realizohen në kohën dhe në vendin e duhur. Me ndihmën e IPA fondeve, 1.2 milionë euro, pra të instrumentit të para anëtarësimit, ky projekt është përfunduar dhe do të shërbejë për fëmijët më të vegjël. Natyrisht, me çdo sukses të radhës po e sjellim Kosovën një hap më afër Bashkimit Evropian në aspektin ekonomik e arsimor, intelektual e shoqëror.”

 

Nga ana e saj, ministrja Nagavci tha se kjo është një nga gjashtë çerdhet që po ndërtohet me fondet IPA të Bashkimit Evropian dhe sipërfaqja e saj me 1,600 metra katrorë dhe hapësira përcjellëse mbi 800 metra katrorë, do të ofrojë terren për aktivitete të shumta edukativo-arsimore.

 

Ndërkaq ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, theksoi se çerdhja është më shumë sesa një ndërtesë: është simbol i progresit, partneritetit dhe shpresës për të ardhmen. “Bashkimi Evropian ka angazhim të fuqishëm dhe jetëgjatë në ndërtimin e infrastrukturave jetike publike në Kosovë.” shtoi ai.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

Mirë se ju gjej të gjithëve, në këtë ditë të shënuar kur po hapen dyert edhe të një qendre të edukimit për fëmijët. Çerdhja e re nuk është vetëm hap përpara në zhvillimin e shoqërisë, por njëkohësisht tregues i fuqishëm që fëmija është kryefjala e politikave publike dhe veprimeve konkrete tona të përbashkëta. Kur veprimet ravijëzohen në koordinim me partnerët tanë evropianë, ndikimi i tyre është më i fuqishëm dhe më i qëndrueshëm.

I nderuari kryetar i komunës së Skënderajt, z. Fadil Nura,

I nderuari ambasador i BE-së në Kosovë, z. Aivo Orav,

E nderuara ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj. Arbërie Nagavci,

I nderuari drejtor i Arsimit të komunës së Skënderajt, z. Duraku

Të nderuara edukatore, fëmijë,

Të dashur bashkëqytetarë,

Çdo vizitë në Skënderaj zgjon mendime dhe emocione të veçanta. Çdo herë që jemi këtu, natyrshëm rikthehet e kaluara jo aq e largët kur pavarësia ishte ëndërr ndërkaq lufta çlirimtare vazhdonte. Ishin pikërisht trimat e paepur të këtij vendi ata që nuk kursyen as veten e as familjen e tyre për lirinë që e gëzojmë sot.

 

Tiparet e theksuara të heroizmit stoik e vetëmohues të Jasharajve në krye me kryekomandantin Adem Jashari, por edhe me mësuesin bacën Shaban, lartësohen çdo vit e më shumë, teksa idealin e tyre e jetësojmë çdo ditë me punë e dashuri për vendin tone, posaçërisht për arsimin. Është kjo historia që duhet kujtuar e treguar në vazhdimësi, për frymëzim dhe për inkurajim brez pas brezi.

 

Edukim, argëtim, zhvillim – këto janë vetëm disa nga parimet kyçe në konceptimin e rrugës së çdo fëmije, që nga çerdhja e deri në maturë. E populli ynë thotë “Dita e mirë shihet në mëngjes’’. Një çerdhe e re është pikërisht si një mëngjes i mbarë që fëmijës ia shtron ditën e më tej jetën, në mënyrë që ai apo ajo të bëhet individ sa më i plotësuar, qytetar sa më i ngritur.

 

Si Qeveri, kemi pasur në krye të qëllimeve tona përmirësimin e jetës së qytetarëve në shumë plane. Orientimi i drejtë i zhvillimit shoqëror është sipërmarrje madhore, me edukimin të gërshetuar në secilën etapë. Ai është pjesë e pandashme e përditshmërisë, duke u nisur nga prindërit apo kujdestarët, dhe duke vazhduar me mësues e këshillues apo mentorë më vonë në jetë. Edukimi është ajo që Nelson Mandela e quante “arma më e fuqishme për ta ndryshuar botën”, ndërkaq Malcolm X e definonte si “fanar ndriçues në mes të errësirës”.

 

E ne të vetëdijshëm për rëndësinë thelbësore të edukimit në fëmijërinë e hershme, e kemi vënë atë në krye të Strategjisë së re të Arsimit. Këtë e bazuam në praktikat botërore të vendeve të zhvilluara, si dhe në rezultatet e studimeve empirike që tregojnë që sa më herët që nis edukimi për fëmijët, aq më mirë formohet individi më pas. E vazhduam me miratimin në Kuvend të Ligjit të ri për edukimin në fëmijërinë e hershme, një ndër sukseset më të spikatura të Ministrisë së Arsimit, me në krye Ministren Nagavci.

 

Këtë vit po shtrihet në çerdhe edhe planprogrami me kurrikulë të re për edukimin në fëmijërinë e hershme, e cila sapo e ka përmbyll me sukses pilotimin. E ky dokument synon të ngrejë një bazë të fortë për fëmijë në mënyrë që, mes të tjerash, të krijohen edhe mendimtarë kritikë të denjë për qytetari globale, për sfidat e tanishme e të ardhshme në botë. Kjo është shoqëria të cilën po e ndërtojmë ne dhe ky është angazhimi ynë që na bën bashkë.

 

Në tërësi, investimet tona në Komunën e Skënderajt gjatë këtij mandati kapin totalin prej 3,2 milionë euro, nga të cilat 2,1 milionë euro është shuma e punimeve të finalizuara deri tani. Ndërkaq rreth 66 mijë euro inventar nga Ministria e Arsimit janë vetëm fillimi i mbështetjes sonë për këtë fole të re për brezin e ri.

E duke pasur parasysh ndikimin dhe kompleksitetin e këtij cikli, gjatë tërë kohës kemi bashkërenduar me efikasitet të lartë veprimet me partnerë e donatorë, si UNICEF dhe Banka Botërore, dhe natyrisht me partneritetin tonë të ngushtë me Bashkimin Evropian.

 

I nderuari Ambasador Orav,

 

Më vjen mirë që jemi bashkë sot në hapje të çerdhes së re në Skënderaj. Respekti dhe mirënjohja janë të ndërsjella, dhe bashkëpunimi ynë vazhdon me ritëm të pandalur – një dinamikë të cilën synojmë që ta shtojmë edhe në mandatin e ardhshëm. Kjo çerdhe është një shembull i mirë se si investimet e Bashkimit Evropian po realizohen në kohën dhe në vendin e duhur. Me ndihmën e IPA fondeve, 1.2 milionë euro, pra të instrumentit të para anëtarësimit, ky projekt është përfunduar dhe do të shërbejë për fëmijët më të vegjël. Natyrisht, me çdo sukses të radhës po e sjellim Kosovën një hap më afër Bashkimit Evropian në aspektin ekonomik e arsimor, intelektual e shoqëror.

 

Të dashur qytetarë të Skënderajt,

 

Faleminderit për mikpritjen, suksese edukatoreve dhe fëmijëve në çerdhen e re! E gëzofshi!

 

Të ngjashme

Të fundit