Rreth 400 mijë euro është kostoja e renovimit të sporteleve në Klinikën e Kirurgjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Kryeministri Kurti tha se shëndetësia ka qenë prioritet i kësaj qeverie që të ofrohen kushte më të mira për pacientet.
“Ne kemi qenë gjithmonë prioritet te shëndetësia që t’i bëjmë kushtet më të mira për kujdesin shëndetësor, por gjithashtu edhe kushte më të dinjitetshme për punëtorët shëndetësor, meqenëse shërimi i pacientit varet edhe nga doktorët e infermierët. Me këtë rast, pas përfundimit dhe inaugurimit të sporteleve në Radiologji e Biokimi, sot siç kishit mundur të shihni tek këto pesë etazhe kishim sportelin në Kirurgji plastike, pastaj në Torakale, Kirurgjinë Abdominale dhe këtu ku jemi në Kirurgjinë Vaskulare dhe Neurokirurgji”. Një hapësirë me rreth 1000 metra katror me rreth 400 mijë euro gjithsej”, tha ai.
Sipas tij për herë të parë është krijuar infrastrukturë moderne me standarde ndërkombëtare për pacientët me aftësi të kufizuara.
“Tash është bërë lehtësimi i qasjes dhe orientimit i gjithë pacientët, sportelet janë të digjitalizuar dhe për herë të parë kemi krijuar infrastrukturë moderne me standarde ndërkombëtare për pacientët me aftësi të kufizuara”, tha Kurti.
E ministri i Shëndetësisë, tregoi arsyen e investimeve në klinikat kirurgjike.
“Kemi filluar me renovimin dhe transformimin e blloqeve operative në shumicën Kirurgjike në QKUK, kemi filluar me digjitalizim të klinikave këtu dhe kjo që po shohim sot, është hapësira jashtë klinikave për familjarë, për pacientë që të kenë një qasje më të mirë”, u shpreh Vitia. /EO