Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Ministrin e Shëndetësisë, Dr. Arben Vitia, morën pjesë në përurimin e hapësirave të renovuara në Institutin e Anatomisë Patologjike.
Me këtë rast, kryeministri Kurti tha se transformimi klinikë pas klinike, institut pas instituti, do të vazhdojë deri në ndryshimin rrënjësor e cilësor të shëndetit e të shëndetësisë sonë publike. Ai tha se në kuadër të këtij projekti janë zgjeruar dhe janë pajisur me inventarë bashkëkohorë dy laboratorë: Laboratori i Imunohistokimisë dhe laboratori i patologjisë molekulare; pastaj janë riorganizuar dhomat e patologëve për më shumë specialistë, si dhe janë funksionalizuar hapësirat përcjellëse për punën e përditshme.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se është i lumtur për punën që është kryer në Institutin e Patologjisë, institut me rëndësi të jashtëzakonshme, sepse puna aty tregon edhe për klinicistët e sidomos për Klinikën e Onkologjisë, që pacientët të trajtohen në mënyrën më të mirë dhe më të shpejtë të mundshme. “Ky vit do të jetë vit i diagnostikës, do të investohet në të gjitha laboratorët pa dallim, duke filluar me teknologji të re, me digjitalizim të laboratorëve dhe natyrisht kjo është një ndihmë e madhe për klinicistët, e sidomos për pacientët, të cilët do të kenë mundësi që të diagnostikohen në mënyrë të saktë, që trajtimi pastaj të ketë sukses”, tha ministri Vitia.
Drejtoresha e Institutit të Anatomisë Patologjike, Dr. Merita Hashani, ndërkaq tha se kjo është një ditë e veçantë, për shkak se për herë të parë pas ndërtimit, kati i parë i këtij instituti merr një pamje krejtësisht tjetër përmes transformimit rrënjësor, i cili është arritur përmes mbështetjes institucionale dhe përmes manaxhmentit të ShSKUK-së. “Ky transformim ka krijuar kushte të reja të punës duke rritur kështu cilësinë e shërbimeve shëndetësore në Institutin e Patologjisë dhe në këtë mënyrë ky investim do të ndihmojë dhe do të ndikojë direkt në mirëqenien e qytetarëve”, tha ajo.
Shuma e gjithmbarshme e investimit për renovimin e plotë të katit të parë të Instituteve paraklinike, i cili ka një sipërfaqe prej afër 1000 metra katrorë apo saktësisht 976 metra katrorë, është 650 mijë euro.
Prononcimi i plotë i Kryeministrit Kurti:
Më lejoni që fillimisht të falënderoj drejtoren, doktoreshën Merita Hashani dhe Ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, si dhe operatorin ekonomik, të cilët kanë punuar mbarë, mirë e shpejtë dhe na bën sot dëshmitarë të këtij transformimi të Institutit të Anatomisë Patologjike.
650 mijë euro është shuma e gjithmbarshme e këtij investimi për renovimin e plotë të katit të parë të Instituteve paraklinike, në një sipërfaqe të gjithmbarshme prej afër 1000 metra katrorë apo saktësisht 976 metra katrorë.
Transformimi është rrënjësor, me ç ‘rast janë ruajtur vetëm muret mbajtëse dhe pllakat e mes-katit, ndërsa të gjitha hapësirat tjera janë rindërtuar dhe janë pajisur nga e para.
Në kuadër të këtij projekti janë zgjeruar dhe janë pajisur me inventarë bashkëkohorë dy laboratorë: Laboratori i Imuno-histo-kimisë dhe laboratori i patologjisë molekulare; pastaj janë riorganizuar dhomat e patologëve për më shumë specialistë, si dhe janë funksionalizuar hapësirat përcjellëse për punën e përditshme. Njëkohësisht, janë rregulluar edhe hapësirat për marrjen e mostrave, sporteli në korridor, dhoma e rojës, si dhe janë rinovuar sallat e studentëve dhe zyrat e profesorëve të patologjisë.
Transformimi klinikë pas klinike, institut pas instituti, do të vazhdojë deri në ndryshimin rrënjësor e cilësor të shëndetit e të shëndetësisë sonë publike.
Në fund, falënderoj edhe gjithë stafin, të cilët punojnë pa pushim këtu dhe angazhohen që shëndetësia publike në Kosovë dhe pacientët të marrin trajtimin e duhur e të merituar. E, tash, para jush do t’ju drejtohet drejtorja, doktoresha Merita Hashani, me pastaj edhe ministri Arben Vitia.






