“Ideja dhe plani i Qeverisë për shkuarjen në zgjedhje është gabim dhe paraqet humbjen e fuqisë së shtetit përballë komunave veriore. Kryeministri është dashur të mendojë dhe analizojë mirë në fillim temën e zgjedhjeve, e pastaj të vendosë, e jo pa menduar mirë shkuam në zgjedhje, pastaj mori vendim që të vazhdojë me sundimin e ligjit dhe shtetit por që në fund u kthy mbrapa në raport me vendimin që të mbahen zgjedhjet.” – ka thënë Lekaj për Nacionale.
Ai ndër të tjera ka thënë se partia e tij qysh në fillim ka qenë kundër zgjedhjeve sepse i kanë parashikuar ngjarjet të cilat kanë ndodhur.
Deputeti i AAK-së ka thënë se ngjarjet në veri kanë treguar pafuqinë e kësaj Qeverie, dhe sipas tij kjo do ti kushtojnë dëm ekonomik buxhetit të shtetit nëse zgjedhjet do të mbahen përsëri.
“Ne si AAK qysh në fillim kemi qenë kundër zgjedhjeve, për shkak që i kemi parashikuar ngjarjet të cilët ndodhën, ngase e njohim mirë Serbinë dhe politikat e saj. Serbia është ajo e vjetra, që ka tentuar të na humbë dhe shkatërrojë si popull. Ngjarjet e veriut përveç që treguan pafuqinë e kësaj Qeverie, do ti kushtojnë dëm ekonomik buxhetit të shtetit nëse zgjedhjet do të mbahen prapë, pastaj u rrezikua jeta e gazetarëve dhe qytetarëve në këto komuna, dhe krejt në fund u dëmtuan raportet me ndërkombëtarët dhe miqtë e vërtetë të Kosovës.” – ka thënë ai.
Lekaj ka thënë se Qeveria nuk duhet të eksperimentojë me shtetin dhe nuk duhet të provokojë duke sjellë situata të tensionuese me shtetin fqinjë.
“Qeveria nuk duhet të eksperimentojë me shtetin, nuk duhet të provokojë dhe sjellë situata tensionuese me shtetin fqinjë, dhe aq më pak nuk guxon të punojë dhe veprojë në kundërshtim me politikat dhe strategjitë e Bashkimit Evropian dhe SHBA-ve. Kjo qeveri duhet të krijojë unitet politik dhe duhet të bashkëpunojë me të gjitha partitë politike dhe ekspertët vendorë në raport me çdo gjë që lidhet me Serbinë. Fatkeqësisht deri tani kjo ka munguar.” – ka përfunduar Lekaj.