Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë. ‘Për arsye familjare’, është përgjigja që ka dhënë vetë ministri Mehaj për median në Kosovë. Këtë version, e jep edhe kryeministri Albin Kurti. Por, cila është e vërteta?
Burimet nga Ministria, madje thonë se në një rast ‘konflikti verbal mes tyre, mund të shkonte në konflikt fizik dhe përdorim arme’.
Për togfjalëshin e fundit të paragrafit më lart, pra ‘përdorimin e armës’, Periskopi ka kërkuar informacione në Ministrinë e Mbrojtjes, por një informacion i tillë nuk është mohuar e as pohuar në këtë ministri.
“S’mund të konfirmoj asgjë”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, zoti Ibrahim Shala për Periskopin.
Periskopi ka provuar të kontaktojë edhe zotin Shemsi Syla lidhur me këto informacione, por i njëjti ka qenë i pa qasshëm në telefon.
Përtej versionit të ministrit Mehaj dhe kryeministrit Albin Kurti, për dorëheqjen ‘me arsye personale’, edhe tv21, shkruan duke u thirrë në burime se ‘kërkesa e Mehajt për largim nga pozita e ministrit vjen edhe shkaku i pakënaqësive të tij me politikat e kryeministrit Kurti, “në veçanti prej përshkallëzimit të marrëdhënieve me bashkësinë ndërkombëtare.”
Përplasjet Mehaj – Syla: Raportimet e gazetarëve
Lidhur me një përplasje të tillë, gazetari Berat Buzhala, ka shkruar veç tjerash në Facebook:
“Veprimtaria e tij ne FSK ka qene pothuajse e pamundur. Zevendesi i tij ka qene armiku kryesor i tij. Thuhet qe edhe e kane sulmu ne zyre. Thuhet qe jane nxjerr edhe alltiat ne zyre. Gjithcka thuhet, kurse kurrkush nuk jep shpjegime”, shkruan Buzhala.
Mehajt i kërkohen disa përgjigje, para se të shkojë
Ehat Miftaraj, nga Instituti Kosovar për Drejtësi, shkruan:
“Minister Mehaj, para se me shku kallxona sa miliona Euro jane mbledh ne Fondin e Sigurisë.
Kaq borxh na ke, na u ka ba marak çka me ble me ato mjete!”
Avokati Xhevdet Smakiqi, ka radhitur një seri kërkesash që thotë se ministri në dorëheqje duhet të jap sqarime:
Armend Mehaj duhet te mbajë një konferencë për media fillimishtë ti tregoi pubikut si në vijim:
- Arsyen e vërtetë pse u detyrua te jap dorëheqje
- Pasojat e prishjes se raporteve te SHBA-se me Kosoven për fajin personal te Albin Kurtit
- Aferen e pubilkuar te Ndue Gjinit për pretendimet e tij se Albin Kurti dhe miku i tij Ridvan Muharremi janë përfshirë në kontrabanden e armatimit te vjetruar turk per tregun e Ukranines.
- Raportet e cenuara me Turqinë apo dhe pasojat e aferes se armëve turke ku përmenendet Albin Kurti.
Nëse Armend Mehaj nuk sqarohet para popullit te Kosoves, do te mbahet mend vetem per poezitë e tij dhe te pamet nëpër Kosove.
Armend mos hesht dhe mos u frikëso!
Kush është Armend Mehaj?
Mehaj ka lindur në vitin 1981 në Kosovë ndërsa ka jetuar dhe vepruar në Oslo të Norvegjisë. Ai i është bashkuar Forcave të Armatosura të Norvegjisë në vitin 1999, për të shërbyer më pas në misione të ndryshme paqeruajtëse si në Kosovë, Irak, Afganistan, Çad dhe Afrikën Qendrore, shkruan Express.
Në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, Kapiten Mehaj ishte dekoruar nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH-së, Gjeneral Major Xhemal Gjunkshi, me medaljen “Për shërbime të veçanta, me motivacionin “Për shërbime të merituara në detyrat me përgjegjësi të lartë, si dhe në kontributin e veçantë të dhënë në përmbushje me sukses të misionit paqeruajtës të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në Çad”.
Me këtë rast, Mehaj kishte deklaruar se dashurinë për vendlindjen e tij Kosovën, për Shqipërinë dhe kombin shqiptar e ka të shenjtë./