Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), në mbledhjen e mbajtur sot, ka plotësuar dhe ndryshuar vendimin për Qendrat e Votimit në përfaqësitë diplomatike për votim në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Pas këtij vendimi, votuesit e regjistruar në disa përfaqësi diplomatike nuk do të votojnë fizikisht, por do të udhëzohen që të votojnë përmes postës.
Gjatë kësaj mbledhjeje pati përplasje mes anëtarëve të KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës, si dhe mes kryesuesit të KQZ-së dhe anëtarit të VV-së, lidhur me çështjen e votimit të personave të burgosur jashtë vendit.
Anëtari i KQZ-së nga VV-ja, Alban Krasniqi, propozoi që të krijohen procedura të veçanta për votimin e të burgosurve jashtë Kosovës, përfshirë edhe ish-krerët e UCK-së që po mbahen në paraburgim në Hagë.
Ai propozoi që të hapet një qendër e veçantë për votimin në Hagë.
“Ajo që i mungon këtij dokumenti është edhe një qendër e re që duhet të hapet, që duhet të trajtohet si qendër e veçantë e votimit në formën dhe modalitetin që duhet të parashihet për qytetarët tanë që mbahen padrejtësisht në Hagë. Kur them në Hagë, e kam fjalën për Gjykatën në fjalë. Andaj propozimi im është që të futet edhe kjo pikë si pikë e votimit, si vendvotim, sepse aty janë gjithashtu personat në fjalë që e dimë se cilët janë. Edhe me sa e di unë, ju keni vënë komunikim me autoritetet atje, dhe që të mos kemi nevojë të kthehemi sërish dhe të diskutojmë këtë çështje, ta zgjidhim bashkë me këto qendra”, tha Krasniqi.
Ndërkaq, anëtari i KQZ-së nga PDK-ja, Arianit Elshani, u shpreh kundër këtij propozimi, duke theksuar se çështja e Hagës nuk kërkon hapje të veçantë të vendvotimit.
“Mendoj që opsioni i parë duhet të mbështetet, ndërsa në raport me Hagën mendoj se nuk ka nevojë të hapet votimi, sepse kjo është në kategorinë e votimit të personave me nevoja të veçanta”, tha ai.
Debati u ashpërsua edhe më tej, kur Krasniqi deklaroi se i njëjti parim duhet të vlejë edhe për raste të tjera jashtë vendit, përfshirë Kumanovën.
Ai akuzoj anëtarin e KQZ-së nga PDK-ja se është duke gënjyer dhe se sipas tij votimi i krerëve të UÇK-së nga Haga deri më tash, ka qenë i jashtëligjshëm.
“Unë e mbroj parimin e të drejtës së qytetarit. Edhe ajo me qenë në mënyrë ligjore, jo ilegalisht. Nuk ndihna mirë me dërgua ilegalisht procedurat, qoftë edhe në Hagë, dërgoje qysh e lejon ligji. Nuk është e rregulluar, nuk është mirë me gënjye publikisht. Veç pak se po shpifet publikisht. Qëllimshëm je ka shpifë. Nuk ndihem mirë unë me cu procedura të votimit ilegalisht, qoftë edhe në Hagë”, tha ai.
Anëtari i PDK-së në KQZ, Arianit Elshani, ka nderhyrë, duke treguar pse nuk mund të organizohet votimi në Gjykatë Speciale.
Ai ka thënë se nuk mund të organizohet procesi i votimit në Hagë, sepse Gjykata Speciale nuk ka lejuar dërgimin e komisionrëve partiak atje.
“Gjykata Speciale nuk është duke lejuar me dërgu komisioner të partive politike. Na e kemi kërkuar me dërgu, por nuk lejon Gjykata Speciale”, ka thënë ai.
Ndaj këtyre deklaratave reagoi kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, i cili akuzoi Krasniqin për manipulim të çështjes, duke theksuar se KQZ-ja duhet të veprojë vetëm në bazë të kornizës ligjore dhe rekomandimeve institucionale.
Më 15 dhjetor 2025, KQZ ka pranuar analizën e MPJD-së, e cila evidenton se në disa përfaqësi diplomatike kapacitetet e stafit nuk janë të mjaftueshme për përmbushjen e kritereve minimale sipas rregulloreve zgjedhore për menaxher të Qendrave të Votimit dhe anëtarë të Këshillave të Vendvotime, nëse subjektet politike nuk dërgojnë përfaqësuesit e tyre. Po ashtu, analiza thekson sfida shtesë operative, logjistike dhe financiare, përfshirë nevojën për viza dhe distancat e largëta, duke rekomanduar rishqyrtimin e vendimit të KQZ-së Nr. 01/3784-2025 për votim fizik në përfaqësitë përkatëse.
Anëtarët e KQZ-së mbështetën rekomandimin që votimi të mos zhvillohet në 8-të përfaqësitë diplomatike në vijim dhe të udhëzohen votuesit që të votojnë përmes postës: Ankara – Turqi (16 votues), Shkup – Maqedoni e Veriut (14 votues), Kanbera – Australi (10 votues), Abu Dhabi – Emiratat e Bashkuara Arabe (10 votues), Iowa – ShBA (8 votues), Podgoricë – Mali i Zi (6 votues), Tiranë – Shqipëri (4 votues) dhe Tokio – Japoni (2 votues).
Pas vendimit të ndryshuar të KQZ-së, procesi zgjedhor jashtë Kosovës do të organizohet në 16 Ambasada dhe 13 Konsullata të Republikës së Kosovës që janë të vendosura në 18 shtete të ndryshme.
Procesi i votimit më 27 dhjetor 2025 do të zhvillohet në këto përfaqësi diplomatike: 1. Gjermani (Berlin – ambasadë; Frankfurt – konsullatë; Hamburg – konsullatë; Mynih – konsullatë; Shtutgart – konsullatë; Dyseldorf – konsullatë); 2. Zvicër (Bernë – ambasadë; Gjenevë – konsullatë; Cyrih – konsullatë); 3. Mbretëria e Bashkuar (Londër – ambasadë); 4. Francë (Paris – ambasadë; Strasburg – konsullatë); 5. Belgjikë (Bruksel – ambasadë); 6. Shtetet e Bashkuara të Amerikës (Uashington – ambasadë; Nju Jork – konsullatë); 7. Norvegji (Oslo – ambasadë); 8. Austri (Vjenë – ambasadë); 9. Kanada (Otavë – ambasadë; Toronto – konsullatë); 10. Suedi (Stokholm – ambasadë); 11. Slloveni (Lubjanë – ambasadë); 12. Danimarkë (Kopenhagë – konsullatë); 13. Itali (Romë – ambasadë; Milano – konsullatë); 14. Turqi (Stamboll – konsullatë); 15. Kroaci (Zagreb – ambasadë); 16. Holandë (Hagë – ambasadë); 17. Republika Çeke (Pragë – ambasadë) dhe 18. Hungari (Budapest – ambasadë).






