13.3 C
New York
Tuesday, November 26, 2024

Buy now

Përpjekjet për zgjedhjen e shefit të ri të NATO-s dhe lufta në Ukrainë

- Advertisement -

NATO do të zgjedhë një udhëheqës të ri, pasi mandati i Sekretarit të Përgjithshëm aktual Jens Stoltenberg do të përfundojë më vonë këtë vit. Megjithatë, siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës në Londër, Henry Ridgwell, disa vende anëtare duan që zoti Stoltenberg të qëndrojë më gjatë në detyrë për t’i dhënë stabilitet aleancës perëndimore ndërsa vazhdon lufta e Rusisë në Ukrainë.

Ish-kryeministri i Norvegjisë, Jens Stoltenberg ka udhëhequr NATO-n për nëntë vjet. Mandati i tij tashmë është zgjatur dy herë, së fundmi në vitin 2022, pas fillimit të agresionit rus në Ukrainë.

Gjatë një takimi me Sekretarin e përgjithshëm të NATO-s në Uashington muajin e kaluar, Presidenti amerikan Joe Biden përshëndeti udhëheqjen e tij.

“Falë kontributit tuaj jo të vogël dhe udhëheqjes suaj, madje përtej NATO-s, ne siguruam përkushtimin e 40 vendeve për të mbështetur pavarësinë e Ukrainës”, tha Presidenti Biden.

Mandati i zotit Stoltenberg do të përfundojë në shtator. Tradicionalisht, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s është evropian. Por aleatët e NATO-s duken të pavendosur mbi kandidatin që do të pasojë udhëheqësin aktual, 64 vjeçarin Jens Stoltenberg.

“Ata do të duhet të jenë në gjendje të respektojnë shumë interesa të ndryshme kombëtare konkurruese të mbi 30 vendeve anëtare të NATO-s. Kandidatët gjithashtu do të duhet të jenë në gjendje të sigurojnë mbështetje nga popujt e vendeve aleate, veçanërisht ato të anëtarëve të rinj”, thotë Joel Hickman nga Qendra për Analizimin e Politikave Evropiane.

Kryeministrja daneze Mette Frederiksen shihet si një kandidate favorite për postin.

Gjatë një vizite të fundit në Uashington, ajo theksoi mbështetjen e vendit të saj për Kievin.

“Ne, sigurisht, do të vazhdojmë, nga këndvështrimi danez, mbështetjen tonë shumë të fortë për Ukrainën”, tha ajo.

Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez dhe Sekretari britanik i Mbrojtjes Ben Wallace shihen gjithashtu si pretendentë seriozë, megjithëse zoti Wallace ka thënë se nuk beson se është në garë për këtë post.

“Është e rëndësishme që Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s të jetë një zë i vendosur dhe i qartë në mbështetje të Ukrainës dhe mund të vazhdojë të ruajë solidaritetin e aleancës për Ukrainën. Por kandidatët duhet gjithashtu të kenë besueshmëri kur bëhet fjalë për objektivin e shpenzimeve prej 2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendeve anëtare të NATO-s në fushën e mbrojtjes”, thotë Joel Hickman nga Qendra për Analizimin e Politikave Evropiane.

NATO do të mbajë takimin e saj vjetor më 11 korrik. Disa aleatë duan që zoti Stoltenberg të vazhdojë punën edhe për një mandat tjetër, megjithëse ai nuk ka dhënë shenja se është i gatshëm ta bëjë këtë.

“Për momentin mendoj se ka shumë pasiguri në Ukrainë. Ka gjithashtu shumë pasiguri për sa i përket politikës së Shteteve të Bashkuara dhe se kë mund të kemi president vitin e ardhshëm; padyshim që kemi dëgjuar qëndrime të ndryshme nga disa prej kandidatëve republikanë. Duke patur parasysh gjithë këtë pasiguri, një numër i madh aleatësh po kërkojnë një vazhdimësi të stabilitetit”, thotë analisti Joel Hickman.

Analistët thonë se udhëheqësi i ardhshëm i NATO-s, pavarësisht se kush do të jetë, do të përballet me sfida të shumta përfshirë kërcënimin e një lufte tokësore në shkallë të gjerë në Evropë, rreziqet e përhapjes së armëve bërthamore, një Kinë gjithnjë e më këmbëngulëse dhe fusha të reja të konkurrencës në teknologjinë kibernetike dhe hapësinore.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit