Home Opinione Përpjekjet për përvetësim historie

Përpjekjet për përvetësim historie

0
Përpjekjet për përvetësim historie

Shkruan: Agron Hoti

Pas rënies së Perandorisë Osmane, Serbia dhe Greqia në marrëveshje me Turqinë para syve të evropianëve dëbuan mijëra shqiptarë për në Turqi. Dëbimin po e bënin nën maskën e shkëmbimit të popullsive. D.m.th shqiptarët e besimit musliman po dëboheshin në Turqi si popullsi turke. Krahas dëbimit – si Serbia ashtu edhe Greqia – na e përvetësuan pothuaj tërë të kaluarën ortodokse. Serbia na i kontrollon sot kishat ortodokse në Kosovë, Greqia ato në Shqipëri, dhe Mali i Zi e Maqedonia e Veriut ato në vendet e tyre.

Ashtu siç Greqia e keqpërdor politikisht kishën ortodokse në Shqipëri për ta mohuar identitetin kombëtar shqiptar, pastaj Serbia kishat ortodokse në Kosovë, të njëjtën gjë po mundohet ta bëjë në hapësira shqiptare edhe konkurrenca gjeopolitike mes Vendeve Arabe, Iranit e Turqisë përmes xhamiave. Si Serbia ashtu edhe Greqia janë në konkurrencë me Vendet Arabe, Iranin e Turqinë se kush po e kafshon deri në gllabërim popullin shqiptar si popullin më pro-amerikan në glob. Nuk është e rastësishme rritja e frymës antiamerikane nëpër hapësira shqiptare, ku më shumë e ku më pak, por pa përjashtim.

Ashtu siç vendet sllave na e përvetësuan pothuaj tërë të kaluarën ortodokse përmes kontrollit të kishave ortodokse, edhe Vendet Arabe, Irani e Turqia po duan të na e përvetësojnë të kaluarën muslimane përmes kontrollit të xhamive. Ndërkohë që Vatikani – edhe pse në përmasa shumë më të vogla se dy të parat – nuk është që nuk ka ndikim e kontroll në kishat katolike, të cilat megjithatë janë shumë më pak në numër sesa kishat ortodokse e xhamitë.

Gara mes Vatikanit, Moskës dhe Mekës më së miri shihet në qendër të Prishtinës. Sikur të na duanin aq shumë të mirën Vatikani, Moska e Meka nuk do të ndërtonin në qendër të Prishtinës kisha e xhamia, por shkolla, universitete e qendra teknologjike, ku do të lulëzonte perspektiva zhvillimore për rininë, e cila po na ikën çdo ditë e më shumë.

Edhe me këtë fukarallëk që kemi, 8-10 % e GDP-së së Kosovës në këto 15 vitet e fundit përbëhet nga sektori i Teknologjisë Informative (IT). Imagjinoni, sikur këto vendet që po na ndërtojnë kisha e xhamia të kishin investuar në IT, sigurisht që përqindja e sektorit të IT-në në GDP do të ishte shumë më e lartë dhe rrjedhimisht ikja e rinisë do të ishte shumë më e ulët.

Ndërtimi i kishës serbe në hapësira universitare, rast ky i pashembullt në Evropë, kishte për qëllim sllavo-ortodoksizimin e arsimit shqiptar sipas projeksioneve serbe. Ndërtimi i kishës katolike në vendin ku ishte gjimnazi më i mirë në Kosovë është rast i pashembullt në Evropën që po rrok majat e teknologjisë dhe dixhitalizimit e ne po investojmë në fe. Ndërtimi i xhamisë në qendër të Prishtinës në vendin ku do të duhej të zgjerohej posta si dhe vlonte telekomunikacioni e teknologjia informative është po ashtu rast i pashembullt në një Evropë që po bëhet gjithnjë e më konkurruese në glob. E tëra kjo është garë për përvetësim të historisë së kombit shqiptar për të na paraqitur si popull pa të kaluar historike.

Pse kisha e xhamia e jo shkolla, universitete, fabrika, infrastrukturë, stadiume apo palestra sportive?! Hapësirat shqiptare kanë nevojë për zhvillim ekonomik, ngase ishin më të varfërat dhe më të harruarat e Evropës deri dje. Populli shqiptar historikisht ka vuajtur për bukë, liri, për arsim, dije e shkencë e jo për fe. Sigurisht që edhe feja është pjesë e përditshmërisë, por jo në kurriz të tjetërsimit tonë kombëtar dhe paperspektivës ekonomike. Fenë ta mbajmë në shtëpi e nëpër objekte kulti e jo në rrugë e sheshe. Ta mbajmë siç dimë vetë ne, pa imponime të rrezikshme nga jashtë.

Duke e lartësuar kombin shqiptar para fesë katolike, ortodokse e muslimane, ngelemi komb sikur të gjitha kombet tjera evropiane, ndërsa duke i lartësuar tri-fetë e lartëpërmendura para kombit, atëherë vetëm si shqiptarë nuk mund të quhemi. Gara për përvetësim të kaluarës sonë nga Vatikani, Moska dhe Meka, ka për synim tjetërsimin tonë kombëtar. Këtë nuk duhet ta lejojmë me asnjë çmim. Nuk ishim as katolikë, as ortodoksë e as muslimanë. Meqë na bënë të tillë, këtë trekonfesionalizëm duhet ta kapitalizojmë si vlerë që s’e ka asnjë komb tjetër në Evropë, por asesi ta lejojmë që të na tjetërsojë si komb. A.H.

Exit mobile version