PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja nuk besojnë se mund të sjell diçka të re përpjeka e fundit për konstotumin e Kuvendit, e cila do të mbahet sonte në ora 22:00.
Përfaqësuesit e këtyre partive kanë vlerësuar se kjo është vetëm një “lojë” e VV-së dhe asgjë më shumë. Sipas tyre, thirrja edhe e një seance nga kryesuesit Avni Dehari para skadimit të aftit kushtetuese, është e kot.
Pas dështimit të përpjekjes së 53-të, kryetari PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se kjo tentativë nuk është serioze.
Ai ka vlerësuar se kjo është një përpjeke e re për tallje me shtetin dhe qytetarët.
“Meqenëse vazhdimi i abuzimit u shfaq edhe sot në qasjen autoritare e imponuese që e kemi ndjekur që nga seanca e parë nga ana e kryesuesit. Dhe ai na ftoj përsëri që të jemi këtu edhe një herë në ora 22:00. Siç po shihet jo për të bërë zgjidhje, apo për ta respektuar Kushtetutën, por për ta vazhduar talljen me shtetit dhe me qytetarët. Unë nuk po e mbaj fjalën tash, por me mirëkuptim po kërkoj me vazhdimin e seancës që do ta bëjmë në ora 22:00”, ka thënë Krasniqi.
Edhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, e ka quajtur hipokrizi ftesën për vazhdimin e seancës konstituive nga ora 22:00.
Në fjalimin e saj në Kuvendin e Kosovës, pas dështimit të tentativës së 53-të, ajo ka deklaruar se VV-ja nuk po bën asgjë për tejkalimin e ngërçit.
“Shprehim keqardhjen, 102 ditë që takohemi dhe pa as përpjekjet minimale të partisë së parë për të bërë zgjidhje. Nga dje e kemi ditur se do të takohemi sot, as sot nuk ka asnjë lloj përpjekje. Është hipokrizi që të ftohemi prapë në ora 22:00, duke e ditur rezultatin. Kemi përgatitur disa fjalime në formë proteste, por po i lëmë për në ora 22:00, ku vijmë duke e ditur paraprakisht që nuk do të ketë asnjë lloj rezultati, por vetëm për të shpreh qëndrimin tonë se jemi për konstituimin e Kuvendit dhe institucioneve të Kosovës”, është shprehur ai.
As deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, nuk beson se përpjekja e orës 10 mund të sjell diçka të re.
“Po shihet që s’ka vullnet me bë një zgjidhje. Secili deputet këtu me përvojën minimale që e ka, ka pasë vullnet me bë zgjidhje dhe me iu bashku forcave për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit. Shihet qartë që Kurti po e shfrytëzon edhe emrin e Albulena Haxhiut jo pse ndoshta insiston që ajo është zgjidhja, por mendoj se e ka në qëllim që ta çojë deri në pafundësi këtë situatë”, ka thënë Hardinaj.
Ai i ka ftuar për bashkim partitë që në mandatin e kaluar kanë qenë në opozitë.
“Edhe kjo seancë në ora 22:00 s’do të ketë ndonjë zgjidhje tjetër, shihet qartë që s’i ka numrat. Thirrje publike për kryetarin e PDK-së, LDK-së, AAK-së dhe të gjithë atyre që kanë vullnet që me ia ofru një mazhorancë në të ardhmen e afërt Kuvendit dhe ekzekutivit të Kosovës”, është shprehur Haradinaj.
Në aktgjykimin e fundit, Gjykata Kushtetuese ua ka dhënë afat një muaj deputetëve për konstituimin e Kuvendit. Afati i fundit për të zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët e Kuvendit, sipas aktgjykimit, është caktuar 26 korriku.
Ky afat përfundon sonte në ora 24:00, kurse përpjekja e fundit për konstitumin e Kuvendit do të bëhet dy orë para skadimit të këtij afati.
Ndërsa, këtë javë, Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme, sipas detyrës zyrtare.
Në këtë mënyrë, gjykata ka bërë me dije seancat e Kuvendit do të ndërpriten nga data 27 korrik deri më 8 gusht.