Përparim Rama: Thirrje komunave për organizim masiv para ndeshjes historike të Kosovës

- Advertisement -

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, u ka bërë thirrje të gjithë kryetarëve të komunave në Kosovë që të kontribuojnë në organizimin e qytetarëve për ndeshjen vendimtare të përfaqësueses së Kosovës, e cila mund të sigurojë kualifikimin historik në Kampionatin Botëror.

Ai theksoi se ndeshja e së martës përbën një moment të rëndësishëm për shtetin, duke shtuar se entuziazmi dhe uniteti qytetar janë në nivelin më të lartë pas përvojës së fundit në Bratislavë. Sipas tij, i gjithë vendi është bashkuar në mbështetje të kombëtares.
Duke marrë parasysh kapacitetin e kufizuar të Stadiumi Fadil Vokrri, Rama ka propozuar që komunat të vendosin ekrane të mëdha në sheshet e qyteteve, në përputhje me masat e sigurisë, në mënyrë që sa më shumë qytetarë të kenë mundësi ta ndjekin ndeshjen.
“Le ta kthejmë çdo shesh në një tribunë mbështetjeje dhe çdo qytetar në lojtarin e dymbëdhjetë të kombëtares”, ka theksuar ai, duke bërë thirrje për solidaritet dhe mobilizim gjithëkombëtar për këtë sfidë historike.

Postimi i plotë:

KRYETARËT E KOMUNAVE TË KONTRIBUOJNË PËR MREKULLINË E KUALIFIKIMIT TË KOSOVËS NË KAMPIONAT BOTËROR!

Të martën na pret një moment historik për shtetin tonë, mundësia që Kosova të shkruajë historinë me kualifikimin në Kampionati Botëror ⚽️

Këto ditë, krenaria dhe atdhedashuria kanë bashkuar çdo qytetar. Pas asaj që përjetuam në Bratislava, besimi është më i madh se kurrë dhe i gjithë vendi rreh si NJË zemër 💙

Megjithatë, kapaciteti i Stadiumi “Fadil Vokrri” është tejet i vogël, për të gjithë ata që duan të jenë në këtë ndeshje vendimtare.

Prandaj, në frymë bashkëpunimi dhe solidariteti, ftojmë kryetarët e komunave që të organizojnë vendosjen e ekraneve të mëdha,në pajtim me rrethanat e sigurisë publike, në sheshet e qyteteve të tyre, në mënyrë që të gjithë qytetarë të kenë mundësinë të përjetojnë këtë natë historike.

Le ta kthejmë çdo shesh në një tribunë mbështetjeje, çdo qytet në një zë të vetëm, dhe çdo qytetar në lojtarin e dymbëdhjetë të kombëtares sonë për kualifikimit historik në Kampionatin botëror.

Ky është momenti ynë. Le ta jetojmë së bashku. Le ta shkruamë historinë në çdo qytet të Kosovës 🇽🇰

Të ngjashme

Të fundit