Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka reaguar pas arrestimit të disa zyrtarëve komunalë.
Përmes një postimi , ai ka bërë të ditur se Komuna e Prishtinës do të ofrojë bashkëpunim të plotë me të gjitha organet kompetente.
“Kryeqyteti riafirmon përkushtimin ndaj sundimit të ligjit dhe funksionimit të pavarur të institucioneve të drejtësisë të Republikës së Kosovës. Në lidhje me arrestimin e zyrtarëve të Komunës së Prishtinës, Kryeqyteti do të ofrojë bashkëpunim të plotë me të gjitha organet kompetente, në përputhje me detyrimet ligjore dhe standardet e një shteti demokratik. Në këtë frymë, Kryeqyteti Prishtina mbetet i hapur për çdo proces verifikimi dhe veprim procedural, në frymë bashkëpunimi dhe me respekt të plotë për organet e drejtësisë të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Rama.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka lëshuar një komunikatë në lidhje më aksionin ndaj zyrtarëve të komunës së Prishtinës, ku u arrestuan tre persona.
Ata dyshohen për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Marrje ryshfeti”.
A.G është arrestuar në flagrancë duke marrë ryshfet për t’i ndihmuar të dëmtuarit të paguajë për punët që i kishte kryer sipas kontratës më komunën.
“Gjatë zbatimit të masave të veçanta hetimore, janë shoqëruar tre persona, ndër të cilët zyrtari I komunës, A.G., është arrestuar në flagrancë për veprën penale ‘’Marrje e ryshfetit’’ sipas nenit 421 të KPRK-së, me qellim qe të ndihmojë të dëmtuarin të realizoj një pagesë për punët të cilat i kishte kryer sipas kontratës me komunën.”






