Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka reaguar ashpër pas aktit vandal të Gëzim Sveçles ku shihet në një video duke demoluar mikrofonët në sallën e KK të Prishtinës.
Ai i ka bërë thirrje organeve të rendit që të merren më këtë rast, përderisa ka thënë se ky akt demaskoi Lëvizjen Vetëvendosje.
Reagimi i plotë:
Dënojmë ashpër dhe me indinjatë të thellë sjelljen e asamblistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Gëzim Sveçla, i cili vandalizoi sallën e Kuvendit Komunal, duke përdhosur institucionin dhe duke sfiduar parimet bazë të demokracisë.
Ky akt është një goditje brutale ndaj vlerave tona institucionale dhe një fyerje ndaj qytetarëve që presin nga përfaqësuesit e tyre të mbrojnë dhe avancojnë interesat e përbashkëta, jo të shkatërrojnë atë që u përket të gjithëve.
Prej muajsh, asamblistët e Vetëvendosjes kanë bllokuar çdo iniciativë në të mirë të qytetarëve, duke përfshirë këtu edhe miratimin e buxhetit me qëllim që të krijojnë ngërç dhe të bllokojnë ofrimin e shërbimeve jetike për qytetarët.
Sot, Vetëvendosje e demaskoi veten, duke dëshmuar se qëllimi i tyre i vërtetë ka qenë dhe mbetet: përdhosja e institucioneve dhe penalizimi i qytetarëve.
Kjo sjellje është një akt i turpshëm që meriton dënimin e çdo qytetari dhe të çdo institucioni demokratik.
Kërkojmë nga organet e rendit që ta trajtojnë këtë rast me seriozitet maksimal, si për pengesën që iu bë përfaqësuesve në ushtrimin e detyrave të tyre kushtetuese, ashtu edhe për dëmtimin e pronës publike.
Institucionet nuk janë fushëbeteja të interesave të ngushta politike, por baza mbi të cilën qëndron mirëqenia e qytetarëve. Veprime të tilla nuk janë vetëm të papranueshme, por edhe të rrezikshme për stabilitetin tonë si shoqëri demokratike.