Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, në garën e tij elektorale jepte premtime futuristike. Zotohej se do të krijonte liqen midis kryeqytetit. Konkretisht në zonën ku ndodhet stadiumi “Fadil Vokrri”. Përveç që s’e bëri një gjë të tillë, në fund të mandatit të tij ai po tregohet i ngathtë që ta menaxhojë edhe Pishinën e Gërmisë, të cilën ia ka kaluar ndërmarrjes publike lokale “Sport Marketing”. Mostrat e ujit që u morën nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, rezultuan që s’përputhen me standardet e ujit të pishinës.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) mëngjesin e të enjtes me një njoftim bëri të ditur se ekspertët e këtij instituti kanë gjetur se uji i Pishinës së Gërmisë s’i plotëson standardet.
“Ekspertët e Ekologjisë Humane nga IKSHPK kanë marrë mostra për analizë laboratorike nga uji i kësaj pishine, të premten më 19 korrik 2025. Rezultatet e këtyre mostrave te lëshuara me 22 korrik 2025, treguan se parametrat mikrobiologjikë nuk plotësuan standardet për ujin e pishinës. Inspektorati Sanitar i Ministrisë së Shëndetësisë ka bërë vizitë në këtë pishinë, në të njejtën ditë“, thuhet në njoftimin e IKSHPK’së.
IKSHPK tutje ka thënë se rezultatet përfundimtare pritet të jenë të gatshme ditën e premte, më 25 korrik.
Përgjegjës drejtpërdrejt për mirëmbajtjen e Pishinës së Gërmisë janë ndërmarrja publike lokale e Komunës së Prishtinës, Sport Marketing. Fund e krye, ajo udhëhiqet nga njerëz të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
Kryeshef ekzekutiv i saj është Bardh Krasniqi, që dikur kandidonte si asamblist nga radhët e LDK’së dhe ishte edhe këshilltar i Përparim Ramës. Ndërkaq kryesuese e bordit të aksionarëve është Elmire Nikçi Rexha, ish-kandidate për deputete nga radhët e LDK’së, si dhe dhe Pëllumb Bajçinovci anëtar, ish-kryesues i Asamblesë Komunale dhe njëherësh asamblist në komunë nga LDK’ja.
Kjo paraprakisht bie ndesh me një deklaratë të Përparim Ramës, i cili thoshte se ka ikur koha kur ndërmarrjet publike lokale janë drejtuar nga njerëz partiakë. Dhe se ato do të menaxhohen nga “njerëz profesionistë”.
Gjithsesi, përveç se nuk po i plotëson kushtet elementare në këtë pishinë, Rama dhe menaxhmenti i tij ua ka shtuar barrën e një kostoje shtesë për hyrje në Pishinën e Gërmisë. Katër euro hyrja për të rritur, dy euro për të vegjël.
Pos kësaj, qytetarët detyrohen të paguajnë katër euro nëse duan ta shfrytëzojnë çadrën, gjashtë euro për kabinën e vogël dhe 30 euro për kabinën e madhe. Pesë euro në fundjavë për të rriturit.
Pishina e Gërmisë përveç që është mbyllur nga IKSHPK’ja për analiza të ujit, edhe është hapur vonë. Kjo, me arsyetimin se ka pasur vonesë për shkak të thatësisë në burimet natyrore prej nga vjen uji për ta furnizuar pishinën.
Menaxheri i përgjithshëm i pishinës, Mërgim Mula, pas hapjes kishte thënë se është bërë një “punë e madhe” në përmirësimin e higjienës.
“Sa i përket higjienës, është bërë një punë goxha e madhe dhe intensive dhe shpresoj që kushdo që vjen të ndihet i kënaqur dhe i presim nga sot të gjithë qytetarët“, kishte thënë ai në korrik të këtij viti.
Nëpër rrjetet sociale kanë qarkulluar pamje për papastërti të nivelit të lartë të ujit në Pishinën e Gërmisë. Nga pamjet e publikuara, vërehet se si shkak i papastërtisë ka ndryshuar edhe ngjyra e ujit të pishinës.
Lidhur me pishinën, ka pasur edhe ankesa se është hapur ani pse s’është mbushur e gjitha me ujë. Sipas kryetarit të Këshillit Lokal të asaj zone, Enver Redenica, si shkak i mungesës së ujit një qytetare ka pësuar lëndime në hundë brenda Pishinës së Gërmisë.
“Në bazë të informatave të para në terren, sot një qytetare ka pësuar lëndime serioze në hundë brenda pishinës së Gërmisë, e ku thuhet që ka qenë brenda në ujë. Unë, si Kryetar i Këshillit Lokal, kam lajmëruar rastin tek organet kompetente sepse ky rast duhet zbardhur, dhe në rast se del në pah që vajza në fjalë është lënduar për shkaqe që pishina nuk ka pasur ujë të mjaftueshëm, komplet përgjegjësia do të jetë mbi supet e Bardh Krasniqit dhe Kryeqyteti Prishtina“, ka deklaruar Redenica në ‘Facebook’ më 8 korrik të këtij viti.