Pa asnjë procedurë publike e pa asnjë cent kompensim, kompania “KUJU PICTURES” e shfrytëzoi për 364 ditë Tullëtoren e Prishtinës, e cila është pronë publike e Komunës.
Kjo kompani fatlume rezulton se është në pronësi të Kushtrim Junikut, vëllait të ish-kandidates për asambliste të LDK-së, Vjosa Juniku – Rrahmani.
Juniku – Rrahmani, përveç kandidate për këshilltare komunale nga partia nën të cilën garoi Përparim Rama, LDK, ka edhe një lidhje familjare me të parin e Prishtinës.
Ajo është kunata e djalit të hallës së Ramës, Driton Rrahmanit, i cili po ashtu është edhe shoferi i kryetarit.
Kjo lidhje politike dhe familjare, sipas PDK-së, është edhe arsyeja se pse pati shkelje për t’ia dhënë kësaj kompanie tullëtoren në shfrytëzim.
E një dukuri e tillë e nepotizmit, sipas drejtorit të organizatës joqeveritare AVONET, cënon demokracinë në vend.
Kiks Kosova ka kontaktuar në numrin e telefonit i cili është publik në webfaqen e ARBK-së, ku është i regjistruar ky biznes, por deri në transmetimin e këtij emisioni, askush nuk është përgjigjur.
Nga “KUJU PICTURES” nuk kanë kthyer përgjigje as në pyetjet që Kiksi i ka adresuar në e-mailin publik që gjendet në të njëjtën webfaqe.