Një sallë sporti në Italinë jugore është mbyllur pasi në të po qëndrojnë arkivolet e shumë personave që humbën jetën pas përmbytjes së një anieje të dielën.
Ndërkohë, kërkimet nga ajri dhe deti për të gjetur ndonjë nga shumë persona që besohet se janë ende të zhdukur vazhduan edhe sot, për të katërtën ditë, shkruan AP.
Varka prej druri e emigrantëve, e mbushur me pasagjerë që paguanin kontrabandistët për udhëtimin nga Turqia, u bë copash në ujë të trazuar pak larg një plazhi në Kalabri para agimit të së dielës.
Tetëdhjetë njerëz i mbijetuan mbytjes së anijes. Sipas rrëfimeve të të mbijetuarve, varka kishte mbajtur 170 ose më shumë pasagjerë kur u nis nga porti turk i Izmirit disa ditë më parë.
Arkivolët – kafe për të rritur dhe të bardhë për fëmijë – u vendosën në rreshta të rregullta në dyshemenë prej druri të objektit sportiv në qytetin e Crotone.
Më pak se gjysma e arkivoleve mbanin një emër – të tjerët u identifikuan me numra që tregonin rendin në të cilin shpëtuesit gjetën trupat, në pritje të identifikimit zyrtar përfundimtar.
Sipas rrëfimeve familjare, disa pasagjerë kishin telefonuar familjen në Evropë dhe të emocionuar raportuan se mund të shihnin kontinentin italian – rreth një orë para se anija të përplasej me një shkëmb ose një breg rëre në detin Jon.