24.7 C
New York
Thursday, September 25, 2025

Buy now

Përleshja në Komunën e Prishtinës: Pamjet kundërshtojnë versionin e Hajrullah Çekut, fillojnë reagimet

- Advertisement -

Një incident i rëndë ka ndodhur dje brenda objektit të Komunës së Prishtinës, ku u raportua për një rrahje mes anëtarëve të Kuvendit Komunal. Fillimisht nuk ishte e qartë se kush kë kishte sulmuar, por pamjet e publikuara sot në media nga reporteri, kanë hedhur dritë mbi ngjarjen.

Kandidati për Kryetar të Prishtinës, Hajrullah Çeku, një ditë më parë deklaroi se asamblisti i LDK-së kishte sulmuar kryesuesin e Kuvendit, Fehmi Kupina.

Në reagimin e tij, Çeku shkroi:

“Lajmi për dhunë në ambientet e Kuvendit Komunal të Prishtinës është shumë shqetësues.
Lidhja Demokratike e Kosovës sot sulmoi njeriun që udhëheqë me Kuvendin Komunal, z. Fehmi Kupina. Përveç që e papranueshme, kjo sjellje shkon kundrejt parimeve politike ku dallimet në pikëpamje janë vlerë e shtuar.
Bëjmë thirrje për organet kompetente që të marrin masa dhe të ndëshkohen dhunuesit.”

Megjithatë, pamjet që dolën sot në media treguan një version tjetër të ngjarjes. Në to shihet se në fakt i sulmuar ishte asamblisti i LDK-së, Sami Salihu dhe atë nga vetë Fehmi Kupina së bashku me disa persona të tjerë, duke e grushtuar.

Pas incidentit, asamblisti i LDK-së kishte reaguar duke thënë:

“Reagim!
Nuk kam sulmuar askënd me shishe.
Sot u sulmova papritmas dhe reagova vetëm për t’u mbrojtur. Kamerat e vendit të ngjarjes do ta tregojnë të vërtetën dhe unë do të bashkëpunoj plotësisht me organet hetimore. Dhuna, sidomos ajo pas shpine, është e papranueshme.
Ju kërkoj falje familjarëve të mi, shoqërisë dhe mbi të gjitha qytetarëve që janë shqetësuar nga kjo situatë. Kjo nuk është natyra ime dhe nuk pasqyron as vlerat që përfaqësoj. Ajo që ndodhi ishte pasojë e provokimeve, ofendimeve dhe sulmit të padrejtë ndaj meje.
Unë do të vazhdoj të qëndroj drejt, me dinjitet dhe me përkushtim ndaj qytetarëve që më kanë besuar. Askush nuk ka të drejtë të godasë pas shpine, dhe askush nuk do të më ndalë të punoj me përgjegjësi për Prishtinën.”

Pas publikimit të pamjeve, reagoi edhe një deputet i LDK-së, Paris Guri i cili e akuzoi Çekun për gënjeshtër. Ai tha se kandidati i VV-së, duhet të kërkoj falje.

“Me gjasë me qenë hajn je edhe rrenc, shkojnë pako këto dyja.
Kërko falje tash masi dolen pamjet.”

Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta politike dhe publike, ndërsa pritet që organet kompetente të hetojnë rastin dhe të marrin masa ligjore ndaj të përfshirëve. Ndërkohë Hajrullah Çeku nuk e ka fshirë postimin ku e dënon dhunën e shkaktuar sipas tij nga asamblisti i LDK-së.

Të ngjashme

Të fundit