Gjykimi kundër ish-krerëve të UÇK-së për krime lufte, ka prekur thuajse fundin në shkallë të parë.
Mirëpo, për Hashim Thaçin një betejë tjetër në Hagë veçsa ka nisur.
Në një aktakuzë të ndryshuar, Zyra e Prokurorit të Specializuar ia ka shtuar Thaçit një formë të përgjegjësisë, në rastin ku ai bashkë me Isni Kilajn, Bashkim Smakajn dhe Fadil Fazliun, akuzohen për pengim të drejtësisë.
Prokuroria ka bërë kërkesë që Thaçit t’i ngarkohet edhe vepra penale e shtytjes Kilajt, Smakajt dhe Fazliut në kryerjen e veprës penale.
Për këtë rast, në mëngjesin e hershëm të dy nëntorit 2023, hetues të ZPS-së kryen disa bastisje në shtëpitë e Kilajt, Smakajt dhe Fazliut.
“Gjatë kontrollit në banesën e Isni KILAJ, ZPS-ja gjeti materiale që përmbajnë informacion konfidencial për Dhomat e Specializuara të Kosovës, procedurat dhe informacionin identifikues të dëshmitarëve të mbrojtur, duke përfshirë emrat e dëshmitarëve. Konkretisht, ZPS-ja mori nga plehrat faqe të grisura të deklaratave të mëparshme të Dëshmitarit 4, duke përfshirë një pjesë që Hashim THAÇI i ishte referuar gjatë vizitës së 6 tetorit 2023”, thuhet nga Prokuroria.
Kjo është vetëm një pjesë e aktakuzës.
Aty gjithashtu jepen detaje për takimet që Thaçi i pati në qendrën e paraburgimit me tre të bashkakuzuarit e tjerë.
Në këto takime, prokuroria pretendon se janë bërë plane se si të ndikohet mbi dëshmitarë.
“Gjatë vizitës, Hashim THAÇI ka dhënë informacione konfidenciale për dëshmitarët e ZPS-së në rastin Thaçi dhe të tjerët, ku në mënyrë të përsëritur një ose më shumë prej vizitorët e tij, u dha udhëzime për Dëshmitarin 2 se si të dëshmojë në rastin Thaçi dhe të tjerët. Hashim THAÇI e karakterizoi dëshminë e Dëshmitarit 2 si vendimtare dhe dha udhëzime të hollësishme se çfarë duhet të thotë ai gjatë dëshmisë së tij”, thuhet tutje.
Përkundër aktakuzës së re, avokati Kadri Osaj vlerëson se Thaçit dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, do të duhej t’u mundësohej gjykimi në liri.
Kjo për shkak se Prokuroria i ka përfunduar tashmë dëshmitarët e saj.
Për rastin e madh, atë të krimeve të luftës, të mërkurën, të enjten dhe të premten do të mbahen konferenca për ecurinë e çështjes. Aty pritet të merren disa vendime të rëndësishme për vijimin e procesit.