18.1 C
New York
Sunday, September 8, 2024

Buy now

Përkujtojmë ditëlindjen e ideologut dhe strategut të UÇK-së, Fehmi Lladrovci

- Advertisement -

Shkruan: Lulzim Nika

Marrëdhëniet e UÇK-së me faktorin politik dhe diplomatik të jashtëm dhe të brendshëm, përfshirë edhe shtetin shqiptar, ishin me plotë sfida dhe tejet të vështira në legjimitetin dhe profilizimin politik dhe ushtarak të saj.
Në maj të vitit 1998, plot 26 vjet më parë, Fehmi Lladrovci, ishte njeriu i parë që në stacionet televizive botërore, me shumë ndikim në qarqet politike të njohura, siç është BBC, mbrojti vlerat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kështu, para opinionit ndërkombëtar paraqitet njeriu i parë i ngarkuar nga lëvizja për organizimin e luftës së armatosur për çlirimin e Kosovës, që në prill të vitit 1984.
Ai me një diplomaci të mençur, paraqiti hapur orientimin dhe filozofinë politike e kombëtare të UÇK-së, duke u deklaruar për qëllimet e drejta dhe historike të shqiptarëve për liri. Duke qartësuar se lufta jonë nuk drejtohet kundër civilëve dhe nuk ishtë dëshirë e jona, por imponim nga brutaliteti i regjimit pushtues të Beogradit. Në këtë intervistë, ai tregon edhe gatishmërinë dhe vullnetin e pathyeshëm për liri, në një kohë të rëndë të konsolidimit të një politike të qartë dhe të qëndrueshme me kërkesat legjitime për liri të shqiptarëve të Kosovës.
Pra, me këtë intervistë dhënë BBC-së, u bë një kthesë e madhe dhe shumë domethënëse për opinionin ndërkombëtar e diplomatik, meqë Fehmiu u shqua si diplomat, ideolog dhe strateg i UÇK-së. Përveç daljes pa maskë, ai do të njoftonte opinionin ndërkombëtar, me argumente, se qëllimi jonë nuk është lufta, por ajo na është imponuar nga regjimi fashist serb. Në mënyrë të argumentuar do t’i demaskojë edhe disa qarqe antishqiptare, që bënin përpjekje për t’i dhënë luftës për liri, një kahje tjetër. Me nje guxim te paparë dhe besim në lirinë e Kosovës, Fehmi Lladrovci, shpalosi filozofinë politike të UÇK-së, para opinionit ndërkombëtar, e sidomos para diplomacive me ndikim, pra ai njëkohësisht hedh poshtë këto paragjykime ndaj luftës që bënte UÇK-ja dhe deklarata e mëposhtme e tij, lirisht mund të konsiderohet postulat historik i të gjithë lëvizjes shqiptare në Kosovë për liri dhe pavarësi:
“Lufta jonë për liri nuk është kundër popullsisë civile serbe, por kundër mekanizmave ushtarako-policorë serbë, që po bënin masakra kundër popullsisë shqiptare “, thoshte Fehmi Lladrovci. Në mënyrë të argumentuar, sqaron para opinionit ndërkombëtar se asnjë veprim i UÇK-së, nuk ishte ndërmarrë kundër popullsisë civile serbe.

Kjo intervistë e Fehmi Lladrovcit dhënë gjigantit mediatik botëror, siç ishte BBC-ja, në maj të vitit 1998, ndikoi që, në bazë të analizave dhe dokumenteve të kohës, imazhi për dhe rreth UÇK-së, të ndryshojë në qarqet diplomatike ndërkombëtare, të cilët filluan ta vlerësojnë UÇK-në si strukturë e organizuar, që në përbërjen e saj ka edhe persona që kanë studiuar në universitetet liberale jugosllave (kështu e quanin Universitetin e Zagrebit, ku kishte studiuar Fehmiu). Këto të dhëna i dëshmojnë edhe dokumentet tjera arkivore e diplomatike të kohës.
Vlen të citohet edhe një opinion interesant dhe i bazuar në pamje, i gazetarit të BBC-së, David Loyd, i cili për Fehmi Lladrovcin thotë: “Ai ka qenë shqiptari që më së shumti i ka përngjarë Skënderbeut. I njëjti vështrim që e ka heroi i juaj, mollëzat e hequra, ashpërsi dhe burrëri në shikimin e tij…”.

Pra, përkthyer popullorçe, të gjitha dëshmitë dhe analizat e dokumenteve të diplomatëve dhe shërbimeve të kohës, na dëshmojnë se Fehmi Lladrovci ishte prijës i themelimit dhe organizimit politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Këtë shkrim, po e përfundojmë me pyetjen e gazetarit të BBC-së drejtuar Fehmi Lladrovcit:
“A je i gatshëm të vdesësh për Kosovën?”
Fehmiu buzëqesh dhe thotë:
“Me gjithë dëshirë. Ky do të ishte nderi më i madh për mua!”.
Fehmi e Xhevë Lladrovci, që ishin ndër figurat më eminente të organizimit dhe të luftës për liri në Kosovë, ranë më 22 shtator të vitit 1998, në një betejë të vështirë e të pabarabartë me forcat serbe, pas një qëndrese heroike.
Lavdi heronjve Fehmi Lladrovcit dhe Xheve Krasniqi-Lladrovcit!
Lavdi të gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës!
I përjetshëm qoftë kujtimi, respekti e vlerësimi i kombit për ta!

 

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit