Sot, në oborrin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Drenas, u mbajtën homazhe në nderim dhe kujtim të heroit dr. Hafir Shala, me rastin e 27-vjetorit të zhdukjes së tij.
Në këtë ceremoni përkujtimore morën pjesë kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, zyrtarë komunalë, përfaqësues të OVL-UÇK-së, familjarë të të ndjerit si edhe personalitete të tjera publike, të cilët vendosën kurora me lule pranë shtatores së doktorit të parë të UÇK-së — një simbol i rezistencës dhe përkushtimit për liri.
Kryetari Lladrovci, në fjalën e tij, vlerësoi lartë kontributin jetik të dr. Hafir Shalës në shërbim të popullit dhe kauzës për liri, duke theksuar se kujtimi për të do të mbetet i gjallë përjetësisht.
“Veprat e tij janë të gdhendura në historinë tonë. Ai nuk ishte vetëm mjek i plagëve të trupit, por edhe shërues i shpirtit të një populli në vuajtje,” u shpreh Lladrovci.
Edhe pas 27 vjetësh, fati i doktorit mbetet i panjohur. Ai që ndihmoi qindra të plagosur, sot vazhdon të jetë një nga plagët më të thella të shtetit tonë — një plagë që nuk shërohet pa të vërtetën.
Homazhet, të mbajtura pranë shtatores së tij në oborrin e QKMF-së në Drenas, u kthyen në një moment të fortë reflektimi, nderimi dhe kërkese për drejtësi ndaj sakrificës së tij sublime.
Lavdi jetës dhe veprës së dr. Hafir Shalës!
Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!