Shkruan Betim Gjoshi
Baci Xhelë (Xhelil Pajaziti) udhërrëfyes atdhedashurie e shtetndërtimi për brezin tim
Pata fat e kënaqësi që gjashtë vite të jetës sime rinore i bëra pranë intelektualit të shquar, patriotit të çështjes tonë kombëtare Xhelil Pajaziti (Baca Xhelë). Ai është ndër personalitetet më të admiruara nga mijëra miq që pata e i kam, profesionist i paimitueshëm, me njohuri poliedrike, dhe një mik shembullor.
Për mua Baci Xhelë mbetet simbol i punëtorit, me dinjitet, me personalitet dhe me aftësi profesionale, që kontribuoi në edukimin dhe formimin profesional të kuadrit në Ministrinë e Shërbimeve Publike dhe më vonë në Komisionin Qendror Zgjedhor që tek unë la mbresë me personifikim të intelektualit, që me kurajo ndoqi rrugën e së vërtetës, të progresit shoqëror, kulturor. Duke u bërë protagonist dinjitoz i saj. Ai gjithë jetën luftoi dhe punoi për një komb të lirë dhe të pavarur e të zhvilluar në nivelet bashkëkohore, duke u renditur ndër figurat e shquara të historisë, të kulturës dhe të shtetësisë!
Baci Xhelë është një thesar me vlera të veçanta për kombin tonë. Kontributet e tij, janë vlerësuar dhe nderuar. Baci Xhelë, miku im i madhi dhe i paharruar, është në mendjet dhe zemrat tona si një atdhetar i zjarrtë, personalitet me vlera të larta kulturore, me inteligjencë të veçantë. Këto aftësi ai i vuri në dispozicion të lirisë, çlirimit dhe ndërtimit të shtetësisë, ai ishte mësuesi më i mirë imi për administrimin publik, burri i mençur dhe mik shembullor. Na mungon fizikisht, por emri dhe vepra e tij e shquar do të jetojnë në jetë të jetëve.
Udhët jetësore të mikut tim
Xhelil Pajaziti, vjen nga një familje atdhetarësh. Ai u lind ne Poliçkë të Kamenicës, me 1941. Ai i takonte gjeneratës së parë të normalistëve (mësuesve) që nxirrte mësues të kualifikuar prandaj deri më 1980 punoi dhe dha kontribut të çmuar në lëminë e arsimit. Nga udha e shkronjave e ndau pushteti antipopullor titist, duke e larguar si i papërshtatshëm ideopolitikisht. Baci Xhelë u detyrua më vonë të punësohet në ndërmarrjen bujqësore të Kamenicës. Me 1979 diplomoi në shkencat juridike, profesion që nuk arrin ta ushtrojë deri në mbarimin e luftës, më 1999. Për aktivitetin e tij atdhetar dhe për angazhimin e vëllezërve në frontin për çlirimin e Kosovës ai ishte persekutuar vazhdimisht, në veçanti, pas rënies së vëllait tij – Heroit të Kombit, Kadri Zekës.
Veprimtaria tjetër e Xhelil Pajazitit fillon pas mbarimit të luftës ku fillimisht më 1999 udhëheqë Drejtoratin për Administratë në Gjilan. Baci Xhelë ishte edhe anëtar i KQZ-së në zgjedhjet e para lokale dhe anëtar i KZAP-it në zgjedhjet parlamentare të vitit 2001.
Nga viti 2002 deri në vitin 2005, ishte këshilltar ligjor i ministrit të Shërbimeve Publike, në Kabinetin e Jakup Krasniqit, pastaj këshilltar ligjor i grupit parlamentar të Partisë Demokratike në Kuvendin e Kosovës. Baca Xhelë vazhdoi të jetë përherë në funksion të misionit për mbrojtjen e së drejtës dhe të ndërtimit të shtetit të Kosovës dhe fundi i jetës atë e gjeti në një detyrë, prapë me rëndësi, në KQZ, në të cilin ai sfidohej thuajse për çdo ditë, për muaj të tërë për ta mbrojtur këtë të drejtë.
Në mesin e bashkëpunëtorëve e miqtë e mi, ai do të shquhej ndër njerëzit dinamik që deri natën që shkoi në amshim, kur edhe ndërroi jetë, Baci Xhelë ishte gojëtar i mirë dhe me plotë sens dhe me një prirje për humor të matur e të qëlluar…Këtë shpirt dinte me kënaqësi e bartë te ne të tjerët, e sidomos, te ne të rinjtë, atë që duhej të mbetej si porosi universale për vlerat e mençurisë njerëzore dhe të lirisë. Dinte këtë përherë ta inkorporonte saktë dhe mirë në porositë dhe tregimet e tija.
Ai, në moshën 69 vjeçare vdiq në Gjilan, ku u varros me nderime të larta qytetare dhe institucional. Veprimtari Xhelil Pajaziti (vëllai i dëshmorit Kadri Zeka dhe babai i ish-ministrit Zenun Pajaziti). Në varrimin e tij kanë marrë pjesë edhe kryeparlamentari i Kosovës, Jakup Krasniqi, zëvendëskryeministrat Kuçi e Manaj, ministra, deputetë, miq, familjarë dhe qytetarë tjerë nga të gjitha viset shqiptare.
Krenar që bashkëveprova me njeriun nga i cili kam mësuar shumë
Në këtë përvjetor, kur ndjejmë mungesën e madhe dhe dhembje të gjithë ne që e njohëm, gjilanasit, Anamorava dhe Kosova, edhe një herë shpreh krenarinë që mësova nga njeiu që na mungon tash 12 vjet….Unë që për shumë vite qëndrova përkrah Bacit Xhelë e kujtoi me ndjesinë prindore dhe ndjehem edhe shumë krenarë që pata fatin të mësoi shumë për udhtë e vështira të lirisë, por edhe për leçet e jetës dhe se nga ai trashëgoi shembullin e tij praktik, se si ai e ngriti në familje dhe brez të shkëlqyer, që sot është udhërrëfyes i fuqishëm në ndërtimin e shtetit të Kosovës.
Virtytet e larta njerëzore e patriotike i rrinë aq bukur personalitetit të tij, si gjerdan në histori. Pajazitin e kisha mësuesin dhe bashkëpunëtorin më të afërm dhe ai ka një meritë të veçantë në ndërtimin e brezit tim dhe ndërtimin e e institucioneve tona shtetërore. Xhelilin, vdekja e gjeti në krye të detyrës, si anëtar veteran i KQZ.
Lavdi jetës dhe veprës së Xhelil Pajazitit!