Ylli i Chelseat, Cole Palmer, ishte pyetur më parë për të luajtur në “Old Trafford” mes raportimeve që e lidhin atë me një transferim te Manchester United.
Javën e kaluar, “The Guardian” raportoi se Palmer është “mallëngjyer për shtëpinë” dhe “po mendon një rikthim në Manchester” në verën e vitit 2026, me United si destinacion të mundshëm, e jo ish-klubin e tij Manchester City.
Ndërkohë, “The Sun” pretendoi se 23-vjeçari nuk po e “shijon jetën në jug” dhe se “i mungojnë” miqtë e tij nga Manchesteri.
Që nga transferimi te Chelsea nga City për një shifër fillestare rreth 40 milionë paund, Palmer është shndërruar në një lojtar kyç për “Blutë”.
Anglezi ka shënuar 48 gola në 110 ndeshje dhe ka fituar Ligën e Konferencës si dhe Kupën e Botës për Klube të FIFA-s me klubin nga “Stamford Bridge”.
Më parë, Palmer ka pranuar hapur se ishte tifoz i Manchester United kur ishte më i vogël dhe e ka përmendur Wayne Rooney si idhullin e tij.
Ai i tha “Sky Sports”: “Kur kthehem në stadium [‘Old Trafford’], është bukur sepse shkoja atje për të parë ndeshje. Natyrisht që e mbështesja Unitedin dhe ai ishte ndoshta lojtari më i mirë në kohën kur i shikoja”.
Duke folur para ndeshjes së së mërkurës mbrëma kundër Napolit në Ligën e Kampionëve, trajneri i Chelseat, Liam Rosenior, u pyet për të ardhmen e Palmerit.
Ai u përgjigj: “Është e thjeshtë, Cole është një lojtar i jashtëzakonshëm. Djali që është ulur pranë meje [Moises Caicedo], kam parë shumë lojtarë në grup që janë të jashtëzakonshëm. Nuk më surprizon koha. Vjen një trajner i ri dhe papritur ka njerëz që thuhet se janë të pakënaqur. Nuk është e vërtetë. Cole është këtu, është shumë i lumtur dhe mezi pres ta shoh sërish në fushë”.
“Nuk ka nevojë për garanci. Është kaq jorealiste. Ka ardhur nga askundi. Nuk ka asgjë në këtë histori. Nuk ka arsye të bëhet një diskutim. Ky është qëndrimi im. Cole është shumë i lumtur. Kam pasur shumë biseda me të. Mendimet tona janë si ta përmirësojmë këtë ekip, si mund të përmirësohet ai dhe si mund ta ndihmoj unë. Ai e do të qenit këtu dhe dëshiron të jetë lojtar i Chelseat. Nuk mund ta ndalosh spekulimin, por disa spekulime janë kaq larg së vërtetës. Nuk ka kuptim të flasim për këtë”, e mbylli ai.






