Kombëtarja e Kosovës po vazhdon përgatitjet për dy ndeshjet e rëndësishme të muajit tetor, të cilat i luan në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror të vitit 2026.
“Dardanët” përballë kanë dy sfida të mëdha, së pari me Slloveninë e pastaj edhe me Suedinë.
Pas stërvitjes së sotme – e cila ishte e dyta me radhë – kanë folur edhe dy lojtarët, Leard Sadriu dhe Kreshnik Hajrizi.
Sadriu, i cili luan tek Arges në Rumani është shprehur shumë i lumtur me ftesën e kombëtares dardane.
“Çdo herë që merret ftesa prej kombëtares është një ndjenjë shumë e mirë – ndjenja më e mirë që mundet me përjetu një futbollist dhe jam shumë i lumtur që jam pjesë e ekipit. Ambientimi ka qenë shumë i lehtë dhe shumë i mirë, pasi që është një grup shumë i mirë i djemve dhe një grup shumë cilësor, jemi të gjithë së bashku”, ka thënë ai për faqen zyrtare të FFK-së.
Po ashtu edhe Hajrizi shprehet krenar që është pjesë e kombëtares për këtë muaj, teksa është optimist për rezultat pozitiv ndaj Sllovenisë.
“Sa herë vi me kombëtaren është një ndjenjë e mirë, jam krenar që jam pjesë e kombëtares. Stërvitjet po shkojnë shumë mirë, përgatitjet po shkojnë mirë për ndeshjen me Slloveninë. Shpresojmë në një rezultat të mirë”, tha Hajrizi.
Kosova do të përballet me Slloveninë më 10 tetor në “Fadil Vokrri”, teksa tri ditë më vonë i shkon Suedisë.
“Dardanët” momentalisht e zënë vendin e dytë në grupin B me tri pikë, me Zvicrën që kryeson me gjashtë pikë nga dy ndeshje.
Suedia e Sllovenia janë në vendin e tretë dhe të katërt – respektivisht – me nga një pikë secila.