1 mars 2025 – Një atmosferë entuziazmit dhe përkushtimi mbretëroi gjatë tre ditëve në Kampin Nacional në Hajvali, ku kombëtaret U17 dhe U19 të vajzave zhvilluan grumbullimin seleksionues. Ky kamp, i përmbyllur me një ndeshje testuese ndërmjet këtyre dy ekipeve, shërbeu si mundësi e mirë për stafin e trajnereve për të identifikuar talentet e reja dhe për të vlerësuar potencialin e futbollisteve për ndeshjet kualifikuese që do t’i zhvillojnë në mars, përkatësisht në prill.
Gjatë këtyre tre ditëve intensive, vajzat treguan përkushtim të lartë dhe aftësi të shkëlqyera teknike, duke lënë mbresa pozitive tek stafi i trajnereve.

Jonida Godeni, futbolliste e Kombëtares U17: Është një ndjenjë shumë e mirë dhe jam e lumtur që jam këtu. Jam e kënaqur që pata mundësinë të stërvitem dhe të luaj. Me vajzat jemi kuptuar shumë mirë dhe jemi kënaqur së bashku. Familja ime është krenare për mua dhe unë do të bëj çmos për të qenë pjesë e Kosovës.
Julinda Kameraj, futbolliste e Kombëtares U19: Jam e lumtur dhe krenare për ftesën. Këto ditë ishin shumë të rëndësishme, kemi luajtur, jemi shoqëruar dhe vajzat kanë qenë shumë të mira. Shpresoj të vazhdoj të jem pjesë e kombëtares edhe në ndeshjet kualifikuese dhe të përfaqësoj Kosovën me krenari.Besoj se kemi ende punë për të bërë, por mund të arrijmë diçka me këtë ekip.

Sanije Krasniqi, përzgjedhëse e Kombëtares U17: Kemi pasur shumë vajza të reja që kanë ardhur prej shteteve perëndimore. Kemi punuar dy ditë dhe sot ka qenë ndeshja. Shumë shpejt janë përshtatur me lojën tonë. Besoj se shumica e tyre do të jenë pjesë e jona edhe në kualifikimet e radhës në Gjermani. Ka futbolliste shumë të mira dhe për herë të parë ndodh që kemi pasur kaq shumë vajza prej perëndimit dhe thuajse të gjitha janë të nivelit shumë të mirë. Kjo sigurisht e bën më të pasur edhe futbollin e Kosovës. Ndeshjet kualifikuese do të jenë shumë të vështira, pasi në grup kemi Gjermaninë, Austrinë dhe Danimarkën, mirëpo besoj se do të bëjmë paraqitje më të mira, pasi çdo herë po ngritemi, edhe pse me kombëtaret e reja është më vështirë sepse çdo dy vit na ndërrohen gjeneratat.

Albina Rrahmani, përzgjedhëse e Kombëtares U17: Një kamp seleksionues që i paraprinë kampit kualifikues në Maltë. Pa dyshim ishte shumë i mirëseardhur, pasi kishim shumë vajza nga jashtë. Shumica prej tyre janë një gjeneratë më e re se sa vajzat që realisht do të luajnë për U19. Por siç e thashë ky kamp është i mirëseardhur sepse po përgatitemi edhe për vitin e ardhshëm. Kishte përkushtim të vajzave dhe paraqitja e tyre ishte shumë e mirë. Ato treguan talent e potencial, por mbetet shumë punë si prej tyre, ashtu edhe prej neve si staf. Disa prej vajzave tona kanë qenë te ekipi A dhe nuk janë këtu, por do t’i kthejmë prap për ndeshjet kualifikuese, derisa gjysma tjetër e ekipit do të jetë nga këto vajza që kishim në dispozicion në këtë kamp. Synimi në kualifikimet e muajit prill është që të kthehemi nga Liga B në Ligën A