Edhe gjysmëfinalisti i tretë i Evropianit do të cakohet në vazhdime ose në penallti, pasi 90 minuta mes Anglisë e Zvicrës kanë përfunduar me rezultatin 1:1.
Pas një pjese të parë pa gola në Dusseldorf Arena, ku nuk kishte asnjë goditje në drejtim të portës, 45 minutat në vazhdim ishin më interesante, me të dy skuadrat që shënuan nga një gol.
Të dy golat u shënuan në 15 minutat e fundit të takimit.
Ishte fillimisht Embolo që çoi Zvicrën në epërsi, kur Ndoye dërgoi një top në thellësi të zonë, për rezultatin 1:0.
Vetëm pesë minuta më vonë, në skenë doli i disponuari i vetëm për lojë te Anglia, Bukayo Saka.
Ai mori një top nga Declan Rice, për të lëshuar një goditje të fortë nga distanca, kështu duke e mposhtur Yann Sommer dhe për të barazuar rezultatin në 1:1.
Deri në vërshëllimen e fundit nuk pati më ndryshim në rezultat dhe kjo është çerekfinalja e tretë me radhë që shkon në vazhdime, ku nëse as këto nuk janë të mjaftueshme për ta caktuar fituesin, atëherë penalltitë do të jenë vendimtare.
Kujtojmë se fituesi nga ky takim, përballet në gjysmëfinale me fituesin nga ndeshja Holandë – Turqi.