Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Alain Berset, ka theksuar se Kosova duhet të plotësojë disa kushte kyçe për t’u bërë pjesë e këtij institucioni evropian:
“Për t’u bërë pjesë e Këshillit të Evropës duhet të përmbushen disa kritere. Njëri prej kushteve është të bëheni anëtare e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ta njihni Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, trupën më të rëndësishme të Këshillit të Evropës dhe poashtu të zbatoni të gjitha vendimet e GjEDNj-së. Mendoj se kjo është në interes të të gjithë qytetarëve, pra shteteve, vendeve anëtare, që ta kenë mundësinë të kenë qasje në Gjykatë dhe të njihen me të gjitha shkeljet e të drejtave të njeriut dhe poashtu t’i adresojnë ato dhe të merren vendime për to”.
Sipas tij, përfshirja e të gjithë qytetarëve të Kosovës, përfshirë edhe ata në veri të vendit, në dialog dhe procese vendimmarrëse është një aspekt tjetër i rëndësishëm që vlerësohet nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës.
“Kjo është njëra, ndërkaq një pikë tjetër është siç e dini përfshirja dhe diskutimet me të gjithë qytetarët që jetojnë në territorin e Kosovës, poashtu në pjesën veriore. E dini saktësisht disa pika të kushteve të vendosura në tavolinë nga ana e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës që do të jetë një element kyç dhe shumë i rëndësishëm i të gjitha diskutimeve”, ka thënë Berset.