Një zjarr i madh ka ndodhur në Kodrën e Trimave në Prishtinë.
Bëhet fjalë për një deponi ilegale të mbeturinave që është kapluar nga flakët.
Komandanti i Zjarrfikësve në kryeqytet, Malë Gashi, ka bërë të ditur se ekipet janë dërguar për të intervenuar.
“Ekipet i kemi dërguar për të intervenuar. Që disa ditë ka zjarr në atë pjesë. Aty është bërë një deponi ilegale e mbeturinave, në këtë rrugën kah Zona e Panaireve në Shkabaj”, tha ai.
“E kemi angazhuar edhe një kompani private me bagera për të intervenuar për largimin e mbeturinave. E kemi të vështirë shuarjen e zjarrit vetëm me ujë, për shkak se aty ka lloj lloj mbeturine”, theksoi Gashi për Klankosova.tv
I pari zjarrfikësve të Prishtinës shtoi se “dëme në shtëpi nuk ka, ka ndeshje të barishteve aty”.
“Po ashtu normalisht është shkaktuar ndotje e madhe e ambientit”, tha Gashi.
Gashi tha se nuk dihet ende se si ka ndodhur zjarri në këtë deponi.
Këtyre ditëve kur Kosovën e kanë kapluar vapa e madhe dhe temperaturat shkojnë mbi 35 gradë Celsius, janë krijuar shumë vatra të zjarrit.
Ekipet e zjarrfikësve në disa zona po hasin edhe në vështirësi për të intervenuar.
Andaj, për t’i bërë ballë flakëve, ndihmë është kërkuar nga KFOR-i.