Kryetari i Bordit të Postës së Kosovës, Fadil Bejta, ka dhënë dorëheqje nga posti në të cilin ishte emëruar nga Qeveria Kurti.
Sipas burimeve të Paparacit, Bejta e ka dorëzuar gjatë ditës së sotme dorëheqjen e tij nga posti i kryetarit, për shkak të përformancës së dobët.
Ai nuk ka pranuar ta konfirmojë dorëheqjen e tij, duke shtuar se mund ta thërrasim nesër.
“Jam në ambulantë, kam obligime familjare, nuk muj me fol sonte po mundeni me më thirr nesër”, është përgjigjur Bejta në pyetjen e Paparacit se a ka dhënë dorëheqje apo jo.
Bejta i emëruar në krye të Bordit të Postës së Kosovës ishte edhe donator i Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjet nacionale të vitit 2021. Në listën e donacioneve publike të LVV-së, emri i tij figuron dy herë.
Ne emër të tij, dy ditë para zgjedhjeve nacionale në Kosovë, më saktësisht më 12 shkurt të vitit 2021 ishin dhënë 1 mijë euro. Ne emër të tij, gjithashtu figuron edhe një donacion prej 50 eurove me 2 shkurt të po atij viti.
Bejta, madje e kishte pranuar për mediat se kishte dhënë donacion për Lëvizjen Vetëvendosje. Në anën tjetër, dyshimet për dorëheqjen e tij lidhen me performancën e dobët.