Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka pritur në selinë e LDK-së përfaqësuesit e organizatorët e Lutjeve të Mëngjesit nga SHBA.
AI ka thënë se Kosova ka nevojë më shumë se kurrë për dorën e miqësisë.
Abdixhiku tutje ka shkruar në Facebook se lutjet e Mëngjesit janë simbol i bashkimit shpirtëror dhe politik.
Postimi i plotë i Abdixhikut:
Përfaqësuesit e organizatorët e Lutjeve të Mëngjesit nga SHBA, i prita sot në Selinë Qendrore të LDK-së.
Zotërinjtë Van Voung, Steve Savelich dhe Ray Schmidt, të shoqëruar nga profesor Shala, i pritëm së bashku me Besianin, Armendin e Visarin. I falënderova për ndihmesën e vazhdueshme që ky organizim shumë dekadësh i ka dhënë Kosovës dhe përfaqësuesve tanë nëpër kohë.
Kosova ka nevojë sot edhe më shumë për dorën e miqësisë. Rrugëtimi ynë politik nuk ka qenë i lehtë. Por në secilën kthesë të vështirë, kemi pasur praninë dhe mbështetjen e miqve tanë amerikanë – në lutje, në ndihmë, në vizion të përbashkët.
Lutjet e Mëngjesit janë simbol i bashkimit shpirtëror dhe politik – vend ku dallimet tejkalohen për hir të paqes, mirëkuptimit dhe dashurisë për tjetrin. Në këtë frymë u ndërtua miqësia Kosovë–SHBA. Dhe në këtë frymë duhet ta ruajmë e ta thellojmë.
LDK, si partia që e vendosi raportin tonë me Perëndimin në themel të identitetit shtetëror të Kosovës, do të vazhdojë të jetë ura e këtij bashkëpunimi të shenjtë. Do të jemi gjithnjë falënderues e gjithnjë të angazhuar për ta ruajtur këtë aleancë, si pasuri të popullit tonë.